Llapi mposht Lirinë për të shtuar presionin te Nikli e Prishtina

Prishtinë | 30 Mar 2019 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Llapi ka fituar bindshëm ndaj Lirisë në Prizren dhe i ka dhënë edhe një shtytje garës për titull në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

Të premten në stadiumin “Përparim Thaçi”, llapjanët fituan ndaj Lirisë me shifrat 4:0. Llapi me këtë fitore është ngritur në vendin e dytë me 51 pikë, katër më pak se Feronikeli që kryeson. Prishtina është e treta me 50 pikë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndeshja ndërmjet Lirisë e Llapit i ka takuar xhiros së 24-t. Po të premten është luajtur edhe takimi Ferizaj – Drita, ndërsa fitore me shifrat 2:1 ka shënuar kampionia në fuqi, Drita.

Por ishte ndeshja në Prizren që kishte peshën e madhe për të dy skuadrat. Llapit i duheshin pikët për të mbetur në garë për titull, ndërsa Lirisë për të bërë një hap drejt sigurimit të ekzistencës. Dhe paraqitja në fushë e rezultati dëshmuan se pse Llapi është lart në tabelë e Liria fare poshtë. Liria mbetet e parafundit (11) me 24 pikë.

Llapjanët kanë dominuar ndeshjen, ndërsa kanë kaluar në epërsi 1:0 në minutën e 36-të. Mentor Zhdrella dha një pasim mjeshtëror për Ahmed Januzin, që gjuajti me të parën për të dërguar topin në rrjetë. Januzi shënoi edhe për 2:0 në minutën e 77-të. Ai mori top në hyrje të zonës, kaloi lehtë një mbrojtës e më pas edhe portierin për të realizuar gol të bukur. Se mbrojtja e Lirisë ka probleme të mëdha u dëshmua edhe në minutën e 80-të, kur Remzifaik Selmani shënoi për 3:0. Ai e mori topin nga mesi i fushës dhe gjuajti saktë nga krahu i djathtë i zonës së rreptësisë. Rezultatin përfundimtar 4:0 e vendosi kapiteni i Llapit, Hamdi Namani, në minutën e 84-t. Ai depërtoi lehtësisht në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme