Llapi nuk po gjen portierë në Kosovë, u beson të huajve

Prishtinë | 12 Jan 2021 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

 Tahir Batatina njihet si njëri prej trajnerëve që iu jep hapësirë të madhe lojtarëve vendorë dhe të rinjve. Mirëpo, një gjë të tillë trajneri i Llapit nuk po e bën me portierët.

Qëndrimin në portë, Batatina po ia beson më së shumti portierëve të huaj. Kjo bie në sy sidomos në sezonin aktual të Superligës së Kosovës në futboll.

Llapi këtë edicion ka pasur tre portierë, asnjërin nga Kosova. Trajneri Batatina për këtë zgjedhje jep edhe arsyen e tij.

Ai insiston se mungesa e portierëve kosovarë e ka detyruar që të kërkojë zgjidhje për portën jashtë kufijve.

“Arsyeja pse klubi mori këtë vendim është se ka mungesë të portierëve në Kosovë. Kjo mendoj se është si pasojë e mungesës së punës me portierët kosovarë dhe ata që janë cilësorë tashmë kanë kontrata në ekipe të tjera. Ne u detyruam të bëjmë transferime të portierëve nga shtetet e Italisë, Afrikës Jugore e tani edhe Kroacisë”, ka thënë Batatina për KOHËN. “Nuk është se nuk kisha besim te portierët kosovarë, mirëpo portieri që e kishim në radhët tona, Bledar Hajdini, shkoi jashtë vendit për disa çështje familjare dhe u detyrova të marr vendimin për një lojtar të ri në atë pozitë”.

Portieri i parë i huaj që iu bashkua skuadrës së Llapit ishte italiani Giacomo Nava. Nava u transferua në fillim të vitit të shkuar dhe ishte pjesë e Llapit në stinorin vjeshtor. Nava edhe këtë edicion e nisi titullar te Llapi dhe pati paraqitje të mira, por lëndimi bëri që 23-vjeçari të largohet për një kohë nga fusha e gjelbër. Pritet që italiani të rikthehet pas rikuperimit, në fund të këtij muaji.

Lëndimin e italianit, Nava, trajneri Batatina u mundua që ta mbulojë me një transferim nga Afrika e Jugut. Ishte Steven Hoffman, që iu bashkua Llapit në sezonin vjeshtor ku luajti për një periudhë të shkurtër. Mirëpo, 26-vjeçari nuk do të jetë më pjesë e Llapit. Pas largimit të Hoffmanit, javën e shkuar Llapi zyrtarizoi transferimin më të ri, portierin e gjatë 204 centimetra, kroatin Marijan Çoriq. Me ardhjen e kroatit te Llapi, Batatina është i bindur se do të rritet edhe konkurrenca për pozitën e portierit në stinorin pranveror.

“Skuadra ka pasur nevojë për një portier cilësor, dhe pas lëndimit të Navas jemi detyruar të transferojmë një tjetër duke e zgjedhur kroatin shtatlartë Marijan Çoriq pas largimit të Hoffmanit”, ka thënë Batatina. “Konkurrenca sigurisht do të rritet, vetë fakti që janë dy portierë të huaj dhe është edhe portieri i tretë shqiptar, do të ndikojë dukshëm tek ata”.

Batatina bëri të ditur se dy portierëve të huaj në ekip i është bashkuar edhe portieri shqiptar nga Londra, Drilon Ajeti. Ndërkohë, kroati Çoriq tashmë i ka filluar stërvitjet me klubin e Llapit dhe po përgatitet për edicionin aktual. Ai së fundi ishte pjesë e ekipit nga Holanda, TEC Tiel, ndërsa tani ka zgjedhur Kosovën për ta vazhduar karrierën e tij profesionale.

“Është hera e parë që vij në Kosovë, është shumë më ndryshe nga Kroacia dhe gjithçka është e re për mua në këtë vend. Më pëlqen qyteti edhe pse është i vogël, mirëpo çdo gjë është në rregull”, ka thënë Çoriqi.

Ai ka pranuar se tashmë ka filluar të ambientohet në ekipin e ri, të cilin e sheh si trampolinë për ta vazhduar karrierën në një ligë më të fortë.

“Zgjodha Llapin pasi mu dha mundësia të luaja në një Superligë, isha tejet i lumtur që mora ftesën, sepse dua ta promovoj veten në këtë ligë dhe t’i hap vetes rrugë për në liga edhe më të forta se kjo”, thotë 25-vjeçari në një bisedë për KOHËN.

Me ekipin nga Llapi nënshkroi kontratë gjashtëmujore me opsion rinovimi edhe për një vit. Çoriqi beson se do të jetë i padiskutueshëm në portën e Llapit, ekip me të cilin synon trofeun e Kupës së Kosovës.

“Objektivi ynë për këtë edicion është Kupa e Kosovës, mendoj se kemi një ekip të mirë dhe besoj se do t’ia dalim”, insiston ai.

Skuadra e Llapit pjesën vjeshtore në Superligën e Kosovës e ka mbyllur në pozitën e tetë në tabelë, me 20 pikë të mbledhura.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme