Llullaku: Në Bjellorusi nuk po e kuptojnë rrezikun nga Coronavirusi

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 21:22 | Nga Ekonomia Online

Të enjten janë luajtur dy ndeshjet e para të edicionit të ri të kampionatit të Bjellorusisë në futboll.

Kështu Bjellorusia nis kampionatin në kohën kur të gjitha vendet tjera në Evropë, e thuajse të gjitha në botë, kanë pezulluar kampionatet për shkak të koronavirusit. Për më tepër ndeshjet në Bjellorusi janë luajtur me shikues në stadiume, ndërsa në federatën e futbollit të këtij vendi kanë vlerësuar se nuk ka arsye për të shtyrë kampionatin.

Në Bjellorusi janë 51 persona të infektuar me koronavirus, por autoritetet e futbollit në këtë vend nuk janë të shqetësuara.

Të enjten në shtëpi luajti skuadra Shakhter Soligorsk, ku aktivizohet sulmuesi kosovar Azren Llullaku. Soligorsku pësoj 1:0 nga Torpedo Zhodino. Llullaku në këtë ndeshje qëndroj në stol.

Llullaku 32-vjeçar është rritur në Itali, vend në të cilin ka kaluar shumicën e karrierës. Italia është goditur rëndë nga koronavirusi dhe Llullaku është i njoftuar me rrezikun që paraqet kjo pandemi. Por ai thotë se në Bjellorusi nuk janë të vetëdijshëm për këtë.

“Këtu në Bjellorusi është çdo gjë në rregull deri më tani. Për fat të keq nuk po e kuptojnë ende gjendjen, rrezikun që paraqet koronavirusi”, ka thënë Llullaku të enjten mbrëma për Koha.net.

Ai është paraqitur për Kombëtaren e Shqipërisë në të kaluarën, ndërsa në Bjellorusi luan prej vitit të kaluar. Suksese ka pasur sidomos në Rumani, ndërsa ka luajtur edhe në Kazakistan.

“Unë e kuptoj rëndësinë e situatës. Të tjerët duket që jo. Unë e kam familjen në Itali dhe e kuptoj që nuk është diçka e vogël gjendja me këtë virus. Por këtu në Bjellorusi të gjithë duken të qetë. Nuk ka probleme me asgjë. Shkollat dhe të gjitha gjërat vazhdojnë të jenë të hapura. Në Itali njerëzit qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Është gjendja shumë e rëndë. Jam i brengosur për familjen time, por nuk kemi çka të bëjmë”, ka theksuar Llullaku.

Të ngjashme