Lojërat Olimpike në Tokio pritet të hapen në korrik të vitit të ardhshëm

Prishtinë | 29 Mar 2020 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe organizatorët e Lojërave Olimpike në Tokio janë në fazën finale të bisedimeve për datën hapëse të Lojërave të Tokios. Ajo datë pritet të jetë korriku i vitit të ardhshëm, njoftojnë mediumet japoneze të dielën, transmeton Koha.net.

Lojërat Olimpike në Tokio, të shtyra javën e kaluar për shkak të Coronavirusit, me gjasë do të kenë ceremoninë hapëse më 23 korrik të vitit 2021 dhe atë përmbyllëse më 8 gusht, ka njoftuar transmetuesi japonez NHK.

Kryeminsitri i Japonisë, Shinzo Abe ka njoftuar shtyrje të Lojërave Olimpike për afro një vit të martën, pas një video-konference që pati me presidentin e IOC-së, Thomas Bach. Është hera e parë që janë shtyrë Lojërat Olimpike në historinë 124-vjeçare të Olimpiadës moderne, ndonëse disa – përfshirë edhe ato të “Tokio 1940” – janë anuluar shkaku i luftës.

Shtyrja është goditje e madhe për Japoninë, që ka investuar 12 miliardë dollarë, ndonëse shumë kanë pasur frikën se mund të anulohen tërësisht.

Të ngjashme