Lojtarët e Barcelonës do të testohen për koronavirus para rikthimit në stërvitje

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Lojtarët e Barcelonës do t’i kthehen kompleksit të klubit të mërkurën për herë të parë që nga fillimi i marsit, ku do t’i nënshtrohen testeve për koronavirus, ndërsa klubet e La Ligas po planifikojnë për rikthimin e ndeshjeve në qershor.

“Skuadra e parë do t’i kthehet fushës stërvitore të mërkurën për të bërë testet e nevojshme, para se të fillohet me stërvitje individuale në ditët e ardhshme”, është thënë në komunikatën e klubit kampion të Spanjës. “Pasi ka përfunduar kontrollimi i kompleksit të klubit këtë mëngjes, La Liga ka dhënë dritën e gjelbër që të bëhen testet për të garantuar sigurinë e lojtarëve”.

Barcelona ndeshjen e fundit e luajti më 7 mars, kur e mposhti Real Sociedadin me rezultatin 1:0. Barcelona kryeson me dy pikë epërsi ndaj Real Madridit, ndërsa kanë mbetur edhe 11 xhiro deri në fund.

La Liga të hënën ka njoftuar se të gjitha klubet do të fillojnë me testime të lojtarëve këtë javë si pjesë e fazës së parë të protokollit prej katër fazave për t’iu kthyer ndeshjeve pa shikues në qershor.

Të ngjashme