Lojtarët e Kosovës që u fotografuan duke pirë duhan, përjashtohen nga FFK-ja

Prishtinë | 05 Shk 2020 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për çështje emergjente i FFK-së ka mbajtur mbledhje dhe ka analizuar dhe shqyrtuar pjesëmarrjen e Kosovës së futsallit në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin evropian 2022 në Gjeorgji.

Aty është konstatuar se Kosova nuk pati rezultatet të mira, duke mos arritur të përmbush objektivat e saj për kualifikim për rrethin elitë.

“Këshilli për çështje emergjente ka analizuar me kujdes edhe paraqitjet individuale dhe sjelljet e futbollistëve në këto ndeshje, duke konstatuar se sjellja e disa futbollistëve nuk ishte në nivelin e duhur përfaqësues, ngase bartja dhe mbrojtja e fanellës së Kombëtares së Kosovës janë detyra dhe obligime të shenjta për secilin futbollist, që kërkon sjellje dinjitoze jo vetëm në lojë por edhe jashtë lojës”.

“Kështu që futbollistët, Oso Gjinovci, Bajram Ramdani dhe Dardan Topilla, gjatë udhëtimit për Gjeorgji kanë pasur sjellje që nuk përkojnë me Rregullat e etikës së një futbollisti përfaqësues, ndaj Këshilli për çështje emergjente ka marrë vendim për përjashtimin e tyre nga ekipi kombëtar”.

“Këshilli për çështje emergjente beson se kjo masë do të ndikojë tek këta futbollistë dhe tek të tjerët që të kenë kujdes, kur veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kosova në Gjeorgji mori një fitore dhe pësoi dy humbje, duke u eliminuar nga raundi parakualifikues. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme