Lojtarët e përfaqësueses së Kosovës shprehen optimistë pas përfundimit të stërvitjes së dytë

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 13:53 | Nga

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, ka mbajtur seancën stërvitore të paradites në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ishte i fokusuar kryesisht në lojën në hapësira të vogla si dhe në presing.

Lojtarët dukeshin në formë të lartë, edhe pse disa prej tyre nuk kanë minuta të shumta në kohët e fundit me ekipet përkatëse të tyre, por sipas tyre ky nuk është një problem i madh, dhe ata do të jenë në gjendje të japin më të mirën.

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani ishte mjaftë i lumtur me rrjedhojën se si kanë shkuar deri më tani stërvitjet dhe sipas tij Kosova ka gjasa që të triumfojë në të dyja ndeshjet.

“Sot kemi bërë një stërvitje në një nivel shumë të mirë. Kushtet janë shumë të mira pasi që fusha po na lejon për ti bërë ushtrimet maksimale. Kemi punuar me taktik dhe fizikisht pasi disa prej lojtarëve duhet të rekuperohen për ndeshjet e ardhshme”, tha Ujkani.

Ndërkohë Milota Rashica i cili së fundi kishte një lëndim të vogël, qetësoi të gjithë duke treguar se ky lëndim nuk është edhe aq serioz dhe sipas tij do të jetë në gjendje që të jap maksimumin për Kosovën në dy ndeshjet.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. E kam pasur një lëndim po nuk është shumë serioz. Jemi duke bërë gjërat e nevojshme dhe besoj se çdo gjë do të jetë në rregull”, pohoi Rashica.

Hekuran Kryeziu ishte i lumtur pasi më në fund Kosova po gëzon infrastrukurën e duhur, sipas tij këtë e kanë pritur që një kohë të gjatë të gjithë.

“Stërvitja e dytë përfundoi, fusha është shumë e mirë. Janë këto gjëra që ne moti kemi dëshiruar si lojtarë dhe si përfaqësues. Nuk do të ketë më udhëtime si më herët dhe shpresojmë se çdo gjë do të shkojë ashtu siç duhet”, ka thënë Kryeziu.

Kosova do të luajë dy ndeshjet në kuadër të Ligës së Kombeve. Me 7 shtator do të luajë ndeshjen e parë kundër Azerbejxhanit, ndërsa ndeshjen e dytë do ta luajë në Prishtinë kundër Ishujve Faroe me datën 10 shtator.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme