Lojtarët e Premier Leagues do të përkrahin kampanjën anti-racizëm

Prishtinë | 12 Qer 2020 | 20:16 | Nga Ekonomia Online

Lojtarët e Premier Leagues do të përkrahin lëvizjen globale anti-racizëm duke mbajtur fanella me shkrimin “Balck Lives Matter” në shpinë, në ndeshjet e para pas rifillimit të edicionit.

Premier League ka dhënë leje që mbiemrat e lojtarëve të zëvendësohen në fanella me sloganin. Logoja e kampanjës do të shfaqet para 12 ndeshjeve të para të edicionit të rifilluar.

“Ne, lojtarët, qëndrojmë të bashkuar në objektivin unik të zhdukjes së paragjykimeve racore kudo që ato ekzistojnë, që të krijojmë një shoqëri globale të gjithëpërfshirjes, respektit dhe mundësive të barabarta për të gjithë, pavarësisht ngjyrës dhe fesë së tyre”, thuhet në një komunikatë të lojtarëve.

Përkrahja vjen në kohën kur në shumë vende të botës po bëhen protesta kundër racizmit. Protestat kanë nisur pas vdekjes së George Floydit, afroamerikanit të arrestuar nga policia në Minneapolis të SHBA-së më 25 maj.

Shumë klube të Premier Leagues kanë pozuar në javët e fundit duke u ulur në gjunjë, njëjtë si ish-lojtari i NFL-së, Colin Kaepernic, që ka popullarizuar mënyrën e protestës ndaj racizmit.

Premier League ka thënë se do të përkrah uljen në gjunjë të lojtarëve e poashtu iniciativën për ndryshimin në fanella.

“Liga përkrah dëshirën e lojtarëve për të zëvendësuar emrat e tyre me ‘Black Lives Matter’ për 12 ndeshjet e para pas rifillimit të edicionit”, thuhet nga Premier League.

Të ngjashme