Lojtari më i mirë i Greqisë vazhdon karrierën në Kosovë

Prishtinë | 18 Gus 2020 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Pas golashënuesit të katërt më të mirë të kampionatit spanjoll, Besa Famgas ka angazhuar edhe hendbollistin më të mirë të Greqisë.

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa e Pejës, të hënën mbrëma ka prezantuar përforcimin më të ri. Bëhet fjalë për reprezentuesin e Greqisë, Charalampos Mallios. Sipas njoftimit të Besës, por edhe sipas raportimit të faqeve të specializuara për hendboll, Mallios është hendbollisti më i mirë i Greqisë.

Dy vjet më parë, ai kishte udhëhequr Greqinë në një fitore historike ndaj Maqedonisë së Veriut, që në përbërje ka top-lojtarë evropianë. Ndaj Maqedonisë, Mallios kishte realizuar nëntë gola.

Mallios 33-vjeçar luan në pozitën e qendrës dhe të bekut. Së fundi ka bërë karrierë te Olympiacosi. Ka luajtur për shumë skuadra në Greqi. Karrierë ka bërë edhe në Turqi dhe në Gjermani.

Besa Famgas kërkon më shumë sukses evropian në edicionin e ri. Për të realizuar këtë synim, Besa ka angazhuar edhe spanjollin Victor Alonso Garcia, që në edicionin e fundit ishte realizatori i katërt më i mirë në kampionatin spanjoll, transmeton KOHA.

Klubi pejan ka mbajtur në përbërje kapitenin e Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce, kurse në përbërje ka edhe shumë reprezentues të Kosovës. Trajner i Besës do të vazhdojë të jetë spanjolli Javier Cabanas.

Besa ka dominuar hendbollin kosovar në dekadën e fundit. Në vitet e fundit ka vetëm një dështim për Kupë. Së fundi ka fituar kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit.

Por në Evropë sukseset nuk ishin ato të synuara. Në edicionin e ri Besa Famgas kërkon më shumë sukses, ndërsa do të paraqitet në nivelin e tretë evropian. Kundërshtarin e mëson në fillim të shtatorit.

Gjithsej pesë skuadra të hendbollit nga Kosova do të garojnë në Evropë, si në asnjë sport tjetër. Edhe Prishtina (meshkujt) dhe Istogu e Vushtrria (femrat) kanë paralajmëruar përforcime. Do të garojë në Kupa Evropiane edhe KHF Ferizaj.

Të ngjashme