Lojtari nga Guineja që u bë yll në Gjermaninë Lindore

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Në filmin “Pele aus Neubrandenburg” (Pele nga Neubrandenburgu), emri Pele nuk i referohet yllit të futbollit nga Brazili, por Cherif Souleymanet, një atleti nga Guineja që pati një karrierë të suksesshme si futbollist në qytetin e Gjermanisë Lindore, Neubrandenburg, derisa po kryente shkollimin dyvjeçar si student socialist në vitet ‘60.

Filmi i regjisorëve Benjamin Unger e Matthias Hufmann është pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Futbollit, i hapur të enjten në Berlin. Ky festival është një dritare për futbollin nëpërmjet të cilit synojnë bashkimin e njerëzve me kultura të ndryshme.

Niveli i Souleymanes si sulmues ndihmoi ngritjen e ekipit nga qyteti i vogël në divizionin e parë. Megjithatë, pasi ekipi u promovua në divizionin e parë, u përball me një befasi të keqe: një rregullore e Gjermanisë Lindore ndalonte të huajt që të luanin në këtë divizion, shkruan DW.

Në vitin 1962, ai u detyrua të kthehet në Guine, ku karriera e tij si futbollist lulëzoi. Souleymane luajti për Guinenë në Lojërat Olimpike të vitit 1968 që u mbajtën në Meksikë, kurse në vitin 1972 u shpall futbollisti më i mirë i vitit në Afrikë.

Sot, derisa ai ecën rrugëve në vendlindjen e tij, është i rrethuar nga të rinjtë që e adhurojnë. Edhe pse nuk është një Pele, Souleymane pa dyshim se është një “VIP” i futbollit të Guinesë.

“Kur isha në Gjermani, fëmijët më preknin për të parë nëse kisha thëngjill në lëkurën time. Të gjithë ishin kureshtarë se për çfarë arsye kisha ardhur në Gjermaninë Lindore”, kujton Souleymane.

Gjatë qëndrimit të tij në këtë vend, Souleymane është përballur edhe me përvoja të tjera të pakëndshme. Prindërit e të dashurës së tij gjermane ia refuzuan propozimin për martesë, derisa në çdo ndeshje ai fyhej në baza raciste nga tifozët dhe lojtarët e ekipit kundërshtar.

“Nuk ka qenë aspak lehtë për mua, pikërisht për shkak të ngjyrës së lëkurës. Por, unë isha i vendosur për t’iu treguar të gjithëve se jam një qenieje njerëzore dhe meritoj të respektohem sikurse të tjerët me ngjyrë të bardhë”, thotë Souleymane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme