Lokomotiva po e luan futbollin më të mirë, dallimin e bëjnë shqiptarët

Prishtinë | 06 Kor 2020 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Gara për pozitën e dytë në kampionatin kroat asnjëherë nuk ka qenë më interesante. Hajduku, Rijeka dhe Osijeku janë vlerësuar pretendent për pozitën që dërgon në Ligën e Kampionëve. Pak kush e ka përmendur Lokomotivën në këtë luftë, por ajo aktualisht po e luan futbollin më të mirë në ligë dhe është favoritja më e madhe për vendin e dytë.

Kështu ka shkruar sajti i njohur kroat “index.hr”.

Sipas mediumit kroat, futbollistët e shumë shqiptarë e bëjnë dallimin te Lokomotiva e Zagrebit. Lokomotiva renditet e dyta, ndërkohë që Dinamo ka siguruar titullin.

“Njëri prej njerëzve kyç në suksesin e Lokomotivës është Besnik Prenga. Mesfushori legjendar shqiptar nga vitet nëntëdhjeta, ka mbetur në futboll dhe është lidhur ngushtë me Lokomotivën kur djali i tij Herdi luajti për ekipin e parë. Sot Prenga i vjetër e kryen punën e skautit kryesor të Lokomotivës në Shqipëri e Kosovë. Rezultatet janë spektakolare. Bëhet fjalë për fidanishte me shumë talente, që rrallë dhe pak shfrytëzohet”, ka shkruar “index.hr”.

Jon Mersinaj, Enes Çokaj, Lirim Kastrati, Myrto Uzuni dhe Indrit Tuci janë bartës të lojës së Lokomotivës.

“Mersinaj po shndërrohet në mbrojtës shumë të mirë. Çokaj është në nivel të lartë gjithë edicionin dhe si një prej mesfushorëve defanzivë më të mirë në ligë, nuk do të qëndrojë gjatë te Lokomotiva. Uzuni, ndonëse shpesh është opsioni i tretë apo i katërt në sulm, ka nëntë gola e gjashtë asistime. Nëse ngrihet në nivelin që ishte para pushimit, Lokomotiva do të fitoi një tjetër adut në përfundim të edicionit. Kastrati është lojtari më i shpejtë në NHL dhe për shumë vite nuk kemi parë në kampionatin tonë një lojtar që është aq i rrezikshëm në hapësirë. Tuci gjatë ka luftuar për vend në ekip, por lëvizja e tij pa top përshtatet mirë në ekip. Lokomotiva për një çmim shumë të ultë ka sjellë lojtarë që bëjnë dallimin me konkurrencën. Nga ato rajone vazhdimisht ka pasur lojtarë të shkëlqyeshëm. Është e pakuptimtë që klubet e mëdha kanë kërkuar përforcime të shtrenjta nga vendet e largëta, në vend të lojtarëve të lirë në vendet fqinje”, ka komentuar “index.hr”.

Të ngjashme