Lomachenko i afrohet qëllimit që të bëhet kampion i padiskutueshëm

Prishtinë | 02 Sht 2019 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Superylli ukrainas i boksit, Vasiliy Lomachenko, ka bërë një hap tjetër para që të bëhet kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e lehtë në boksin profesionist. Lomachenko ka triumfuar me vendim unanim pas 12 raundeve ndaj britanikut Luke Campbell, të shtunën mbrëma në “O2 Arena” në Londër.

Lomachenko mbrojti dy titujt e tij të botës (WBA dhe WBO) në peshën e lehtë, ndërsa shtoi edhe një titull tjetër në koleksionin e tij, atë WBC. Ai zhvilloi betejë me anglezin Campbell, në prani të mbi 18 mijë shikuesve. Ishte një betejë e dy medalistëve të artë olimpikë.

Lomachenko, që e rrëzoi Campbellin një herë në raundin e 11-të dhe gati sa nuk e mbylli me ndërprerje përballjen, në fund triumfoi me pikë pas 12 raundeve, me rezultatin 119:109, 119:108 dhe 118:109.

“Lomachenko është aty në nivel me Muhammad Alin, Marvin Haglerin, Sugar Ray Leonardin, Floyd Mayweatherin, Oscar De La Hoyan, Manny Pacquiaon. Ai e ka vendin me këta luftëtarë legjendarë”, ka thënë promotori i Top Rank, Bob Arum, që ka qenë promotor i secilit nga këto legjenda.

Lomachenko, fitues i dy medaljeve të arta olimpike, nga shumë vlerësohet si boksieri më i mirë amator i të gjitha kohërave dhe tash po tregon klasin edhe në boks profesionist

Të ngjashme