Loriana vazhdon me medalje të artë rrugëtimin drejt kreut

Prishtinë | 01 Pri 2019 | 08:33 | Nga Ekonomia Online

Pas dy medaljeve të argjendta, ishte koha që Loriana Kuka të fitonte medalje të artë. Dhe të artën xhudistja 21-vjeçare e fitoi me stil.

Të dielën, në ditën e fundit të turneut Grand Prix në Tbilisi të Gjeorgjisë, Loriana Kuka doli e para në kategorinë deri 78 kilogramë. Ndonëse përballë kishte dy xhudiste me medalje nga kampionatet botërore, Loriana nuk pati konkurrente të madhe gjatë ditës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ajo ka dominuar të gjitha katër luftërat. Indianen Rani Rani e kaloi për vetëm 27 sekonda. Ndaj holandezes Ilona Lucassen fitoi për 2:47 sekonda. Lucassen mori tri dënime gjatë kësaj kohe.

Me hedhje për “Waza-ari” e mposhti francezen Estelle Fanny Posvite, që kishte fituar medalje të bronztë në Botërorin e vitit 2015. Finalja ndaj kubanes Kaliema Antomarchi u dominua plotësisht nga Loriana, që tre vjet më parë kishte lënë Zvicrën për të bërë karrierë në Kosovë, nën urdhrat e axhës së saj Driton Kuka.

Kuka fillimisht realizoi hedhje për “Waza-ari” e më pas hedhje tjetër për “Waza-ari”, që nënkupton fitore me Ippon. Lufta ndaj Antomarchit, që ishte e bronztë në Botërorin e vitit 2017, zgjati pak më shumë se tre minuta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme