Loshajt i realizohet ëndrra me ftesën nga Kosova

Prishtinë | 05 Tet 2020 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Florian Loshaj është emri i vetëm i ri në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll për ndeshjet e këtij muaji. Selektori Bernard Challandes të premten publikoi listën e lojtarëve për ndeshjet me Maqedoninë e Veriut, Slloveninë e Greqinë.

Challandes ka ftuar 24 lojtarë, ndërsa Samir Ujkani bashkohet më vonë. 23 prej 24 lojtarëve që do të jenë për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut (të enjten), kanë luajtur edhe më parë për Përfaqësuesen A. Ndërkohë Loshaj ka luajtur vetëm në ndeshjen e janarit ndaj Suedisë B. Edhe Kosova në atë ndeshje ishte paraqitur me lojtarë kandidatë për përfaqësuese, me ndonjë përjashtim. Dhe Loshaj brenda një kohe të shkurtër është shndërruar nga lojtar kandidat për përfaqësuese në reprezentues.

“Është një ëndërr e bërë realitet. Unë gjithnjë kam pasur dëshirë ta përfaqësoj Kosovën. Dhe jam i lumtur që më erdhi mundësia”, ka thënë Loshaj të dielën mbrëma për KOHËN.

Ai më parë ishte pjesë e U-21 të Kosovës dhe ka pasur paraqitje të vlerësuara. Loshaj, 24-vjeçar, është formuar si lojtar te Genku në Belgjikë. Ishte edhe te Maastricht dhe Roda në Holandë, kurse më pas bëri emër te Politehnica Iasi në Rumani. Prej janarit është te Cracovia në elitën e Polonisë. Këtë edicion ka luajtur në të gjitha gjashtë ndeshjet kampionale dhe ka bërë një asistim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme