Luhet derbi i Liverpoolit, ‘The Reds’ kërkojnë rikthimin në krye

Prishtinë | 03 Mar 2019 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

Pasditja e së dielës do të përcjellë emocionet që vijnë nga dueli Everton-Liverpool në Premier Leaguen angleze, e me siguri që gjermani Jurgen Klopp do të presë të gjejë një atmosferë të zhurmshme dhe festive në “Goodison Park”, siç e kërkon në fakt tradita e derbit të Merseyside që ndër vite ka qenë derbi më miqësor dhe paqësor në një kampionat të luftuar dhe shpesh të shënuar nga incidentet e shpërthimet e turmave agresive.

Mesjava i pa kryesuesit e klasifikimit të shënonin një fitore të thellë 5-0 në mesjavë ndaj Watford, çka i siguroi pikën e vetme që i mban superiorë ndaj ndjekësve të Manchester Cityt, që gjithsesi tashmë ndodhen në krye falë fitores ndaj Bournemouth, por skuadra e Guadiolës ka zhvilluar një ndeshje më shumë.

Si Liverpool ashtu edhe Everton kanë respektivisht edhe 10 sfida për të luajtur dhe “The Reds” janë të vetëdijshëm se i pret një duel i luftuar. Liverpooli i mundte rivalët e Evertonit 1-0 dhjetorin e shkuar, falë golit të belgut Divock Origi në sekondat e fundit, rezultat ky që në statistika shton ndasitë mes klubeve, me Evertonin që numëron 18 përballje pa fitore ndaj Liverpoolit, në të gjitha kompeticionet.

Sfida e së dielës do të shënojë përballjen e 200-të mes këtyre ekipeve duke u kthyer në sfidën e dytë më të luajtur në Europë, pas asaj mes Aston Villas dhe Everton që është zhvilluar plot 202 herë.

Një kuriozitet që ka prodhuar ky derbi është fakti se kjo sfidë ka shënuar numrin më të lartë të kartonëve të kuq të dhënë në një sfidë në historinë e Premier Leagues. Këtë të diel Everton do të tentojë të ruajë vazhdimësinë, duke shënuar fitoren e dytë radhazi në kampionat që pas muajit tetor, ndërkohë që Liverpooli mbetet skuadra që ka pësuar më pak gola në transfertë këtë sezon të Premier Leagues, me vetëm tetë të tillë.

Me skuadrën e Jurgen Klopp që kërkon më ngulm trofeun e kampionatit të munguar prej një kohë shumë të gjatë në palmaresin e tyre, sigurisht qe emocionet do të jenë të amplifikuara në derbin e Merseyside. /Top Channel

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme