Lukaku e vë në dyshim të ardhmen e tij në Man United

Prishtinë | 12 Qer 2019 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi belg i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku, ka thënë se ai pret që kjo verë të jetë e ngarkuar, duke hedhur kështu dyshim mbi të ardhmen e tij te “Djajtë e kuq”, mes spekulimeve se ai mund t’i bashkohet Interit.

Romelu Lukaku besohet se është prioriteti kryesor i Interit gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi që më herët kishte rrëfyer se ëndërron të luajë në Serie A para se të pensionohet.

Trajneri i ri i Interit, Antonio Conte, besohet se është adhurues i madh i Lukakus dhe kishte dashur ta transferojë belgun edhe në vitin 2017, kur kishte qenë trajner i Chelseat. Megjithatë, Lukaku iu bashkua Manchester Unitedit për 75 milionë funte.

Lukaku u pyet për të ardhmen e tij pas fitores me rezultat 3:0 të Belgjikës kundër Skocisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. 26-vjeçari nuk tentoi t’u japë fund spekulimeve për të ardhmen e tij.

“Kam kontratë me Manchester Unitedin. Do të flas me klubin dhe menaxherin tim, Federico Pastorellon, për ta marrë vendimin e duhur”, ka thënë Lukaku, i cili i shënoi dy gola kundër Skocisë.

“Do t’i shijoj pushimet e mia me familjen time tani. E di çfarë do të bëj, por nuk dua ta them tani. Do ta shohim. A do të jetë e ngarkuar kjo verë? Po”.

Lukaku ka kontratë me “Djajtë e kuq” deri në verën e vitit 2022 dhe klubi e ka opsionin për t’ia zgjatur atij kontratën edhe për një vit. Ai i shënoi vetëm 12 gola gjatë gjithë sezonit 2018/19 dhe Manchester Unitedi mbeti në pozitën e gjashtë të Premierligës e jashtë sezonit të ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme