Lukaku largohet nga Unitedi, Interi ishte opsion më i mirë

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 11:26 | Nga Ekonomia Online

Romelu Lukaku tha se transferimi nga Manchester United në Inter ishte opsioni më i mirë për të, pasi e vazhdoi formën e tij të mirë duke i shënuar dy gola në ndeshjen e së martës në Kupën e Italisë.

Sulmuesi belg i shënoi dy gola në fitoren 4:1 të së martës kundër Cagliarit, duke e arritur shifrën prej 18 golave në ndeshjet e këtij sezoni për Interit, që kur u transferua si lojtari më i shtrenjtë në histori të klubit italian, transmeton Gazeta Express.

Lukaku e shënoi golin e tij të parë pas vetëm 21 sekondave lojë, përderisa e shënoi edhe golin e tretë të Interit, gjatë pjesës së dytë të ndeshjes në San Siro. Me këtë fitore, zikaltrit kaluan në çerekfinale të Kupës së Italisë.

“Unë duhet t’i falënderoj bashkëlojtarët e mi, trajnerin, stafin e klubit dhe tifozët. Të gjithë më kanë ndihmuar që nga dita e parë”, ka thënë Lukaku, i cili i ka shënuar gjashtë gola në katër ndeshjet e tij të fundit.

“Interi ishte opsioni im më i mirë. Unë mund të rritem këtu dhe mund ta jap kontributin tim. Roli im është ta ndihmoj skuadrën në çfarëdo mënyre që të mundem dhe unë e di se tifozëve u pëlqen kjo. Unë duhet të vazhdoj kështu”.

“Natyrisht, qëllimi im është të shënoj, mirëpo unë nuk po mendoj vetëm për veten, por edhe për skuadrën. Unë jam këtu për ta arritur suksese dhe shpresoj të fitojmë diçka. Megjithatë, për momentin jam i përqendruar te Lecce”.

Lukaku u transferua në Serie A verën e kaluar, pas dy sezoneve me Manchester Unitedin. Verën e kaluar të njëjtin kalim e bëri edhe Alexis Sanchez, i cili megjithatë s’ka arritur ta dëshmojë veten shkaku i lëndimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme