Lukaku: Mourinho më ka bërë lojtar më të mirë

Prishtinë | 19 Kor 2017 | 12:42 | Nga

Romelu Lukaku në paraqitjen e tij të dytë për Manchester United, gjatë periudhës përgatitore, shënoi edhe golin e parë për klubin e ri. Në klubin e Old Traffod-it arriti më 10 korrik për 85 milionë euro nga Evertoni, por thekson se trajneri i “djajve të kuq” Jose Mourinho tashmë e ka bërë lojtar më të mirë.

United në ndeshjen e dytë kontrolluese gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me rezultatin 2:1 mposhti Real Salt Lake, ndërsa Lukaku ishte shënues i golit të dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Mourinho e di se çka mund t’i sjell ekipit dhe ai disi më jep shtysë. Edhe unë vetes i jap shtysë përpara, por ai më bën lojtar më të mirë. Mendoj se shumë kam mësuar prej tij javën e kaluar dhe më vjen mirë që mund të punoj me të”, tha Lukaku për faqen zyrtare të internetit të Manchester United.

Sezonin e kaluar belgu ka mbajtur fanellën e Evertonit, ku shënoi 25 gola në Premier Ligën Angleze. Gjatë katër sezoneve që kaloi në ‘Goodison Park’ ka luajtur gjithsej 133 ndeshje dhe ka shënuar 71 gola. Për ekipin kombëtar të vendit të tij u paraqit në 57 ndeshje duke shënuar 20 gola.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme