Maguire ka kthyer stabilitetin në mbrojtjen e Unitedit

Prishtinë | 13 Gus 2019 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Harry Maguire ka sjellë menjëherë stabilitet te mbrojtja e brishtë e Manchester Unitedit. Maguire shkëlqeu të dielën në fitoren 4:0 të Unitedit në Premier League ndaj Chelseat.

Paraqitja e tij është vlerësuar lart nga ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho që ka thënë se Maguire mund të formojë një partneritet të fuqishëm me suedezin Victor Lindelof.

Maguire është bërë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, kur u transferua te Manchester Unitedi këtë verë nga Leicester City për 80 milionë funte (rreth 87 milionë euro).

“Ai ishte i fortë si shkëmb”, ka thënë Mourinho, nga roli i analistit në “Sky Sports”. “Mund të jesh shumë i rrezikshëm në sulm, por nëse ndien se gabimi është pranë, atëherë të merr besimin dhe nuk luan mirë. Kur ndien se ke siguri prapa në mbrojtje, atëherë të lejon të luash me shumë më tepër besim. Siç kam thënë gjithmonë, Lindelof mund të jetë lojtar shumë i mirë. Me Maguiren mund të bëjë partneritet shumë të mirë”, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Maguire, po ashtu, është vlerësuar lart edhe nga kryetrajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer. Norvegjezi ka thënë se Maguire ka sjellë qetësinë në mbrojtjen e Unitedit, skuadër që pranoi 54 gola në ligë stinorin e kaluar.

“Maguire ka bërë saktësisht atë për çfarë e kemi transferuar. Prezenca e tij në dy zonat, qetësia e tij dhe siguria me top. Ai është lider dhe ai, David de Gea dhe Victor Lindelof, kanë mbajtur shumë mirë vijën e mbrojtjes. Është me rëndësi të kesh personalitete të forta në mbrojtje”, ka thënë Solskjaer.

Fjalë të mëdha për reprezentuesin e Anglisë, Maguire, ka pasur edhe mesfushori francez i Unitedit, Paul Pogba.

“Unë do ta quaj atë ‘Bisha’. Sinqerisht, siç keni parë, ai është shumë impresiv. Është një lider. Ai është përshtatur menjëherë me ne. Ne kemi folur për kontrollimin e mbrojtjes dhe ai ka një kuptim shumë të mirë me Victor Lindelofin. Ishte një ndeshje shumë e mirë për të nisur stinorin”, ka pohuar Pogba, që ka thënë se e ardhmja e tij në klub ende është e paqartë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme