Majlinda Kelmendi – Uta Abe, “meçi i ëndrrave”

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Vit i madh do të jetë 2019-a për Majlinda Kelmendin. Kështu të paktën parashikohet në sajtin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), shkruan sot Koha Ditore.

Në një shkrim paralajmërues për vitin 2019, IJF-ja ka parashikuar se kampionia kosovare do të jetë pjesë e luftës më interesante të vitit që ka nisur. Meçi Majlinda Kelmendi – Uta Abe (Japoni) është renditur i pari prej katër sa ka përzgjedhur sajti i IJF-së në pikën “meçet e ëndrrave në horizont”.

Në fillim të vitit IJF-ja ka shkruar për pesë arsyet që adhuruesit e xhudos duhet të entuziazmohen për 2019-n. Prej figurave kryesore të IJF-së, përkatësisht xhudos është Majlinda dhe ajo nuk ka munguar në këtë shkrim. Lokalitetet e reja, yjtë e rinj që janë pranë Tokio 2020, meçet e ëndrrave, botërori i fundit para Olimpiadës, si dhe përmbajtja e re dhe qasja më e madhe, janë pesë pikat e shkrimit.

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, nuk është përballur ende me yllin e ri të xhudos, japonezen Uta Abe. Ajo është ende vetëm 18-vjeçare dhe ka dalë vonë në skenë. Por ka shpërthyer menjëherë dhe fitoi titullin e botës vitin e kaluar.

Majlinda ka munguar prej gushtit të vitit 2017 deri në tetor të vitit 2018 dhe kjo është arsyeja kryesore që nuk ka pasur ende një përballje të xhudisteve kulmore të kategorisë deri në 52 kilogramë. Por kjo parashikohet të ndodhë këtë vit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme