Majlinda shpërblehet me 100 mijë euro dhe dy javë në deti

Prishtinë | 19 Gus 2016 | 12:01 | Nga Fitore Zena Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala, ka ndarë shpërblimin shtetëror kampiones olimpike, Majlinda Kelmendit dhe trajnerit të saj, Driton Kuka, për medaljen e parë të artë që i sollën Republikës së Kosovës nga “Rio 2016”.

Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare, Kelmendi merr shpërblimin financiar në vlerë prej 100 mijë euro, ndërsa trajneri Kuka 50 mijë euro.

Ministri Shala uroi Majlinda Kelmendin për suksesin historik të arritur në “Rio 2016”. Suksesin e Majlindës ministri e cilësoi si fillim i rezultateve në arenën ndërkombëtare, ndërsa shtoi se MKRS-ja do të vazhdojë ta përkrah.

“Unë po besoj që është fillimi i rezultateve të mëdha të kësaj natyre në arenën ndërkombëtare botërore, ne presim edhe rezultate tjera. Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë më ju që t’iu ndihmojmë aq sa mundemi, ceremonia që po bëjmë sot dhe çmimet që po merrni janë meritë e juaja, e punës suaj, dhe për neve vetëm detyrim”, tha ministri Shala.

Majlinda Kelmendi u shpreh e lumtur për suksesin e arritur dhe ka falënderuar MKRS-në për përahje.

“I jemi gëzuar aq shumë kësaj medalje, aq sa edhe në shumë intervista e kam thënë që nuk ka para që më bon të ndihem se si po ndihem me këtë medalje dhe me këtë sukses. Falënderoj ministrin për përkrahjen!”, theksoi Kelmendi.

Ministri Kujtim Shala ka ndarë mirënjohje edhe për Nora Gjakovën, duke thënë se të dyja kanë vendosur standard për xhudon ndërkombëtare.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë me ju si deri tani, dhe të ndihmojmë aq sa mundemi dhe të mos ndërhyjmë asnjëherë në punë të organizimit. Ceremonia dhe çmimet që merrni sot janë meritë e juaja dhe asnjë obligim i yni. Shpresoj dhe besoj qe ky vullnet është shpresa e sportit të Kosovës”, ka thënë ai.

Trajneri Driton Kukaj tha se qëllimin jetësor e ka arritur përmes nxënësve të saj, derisa u shpreh lumtur që “më gëzon më së shumti fakti që Nora Gjakovën nuk e ka anashkaluar ministri”.

Xhudistja Majlinda Kelmendi gjithashtu mori shpërblim edhe nga nënkryetari i Ulqinit Met Gjoni, dy javë pushim në bregdetin e Ulqinit dhe një pikturë nga Ekipi Olimpik.

Xhudistja Majlinda Kelmendi i solli medaljen e parë të artë Republikës së Kosovës, e cila më 7 gusht në Rio de Janiero të Brazilit shkëlqeu në finale kundër italianes, Odette Giuffrida.

 

Të ngjashme