Mallorca i ka krejt shpresat tek koka e Muriqit

Prishtinë | 24 Gus 2022 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi u bë për një kohë të shkurtër lojtar vendimtar dhe mjaft i rëndësishëm për Mallorcan.

Sulmuesi kosovar e ndihmoi ekipin ishullor të shpëtonte pa rënë nga liga në sezonin e kaluar, ndërsa roli i tij në edicionin e ri duket se do të jetë i njëjtë.

Pas një vere të çuditshme për të, përfaqësuesi kosovar ia doli të nënshkruante kontratë afatgjate me klubin nga La Liga.

Pas një sezon “normal”, pak nga pak ai po e kthen formën e pritur, shkruan mediumi spanjoll “Marca”, ia cili ia kushtoi një shkrim futbollistit prizrenas, përcjell “Gazeta Express”.

Madje, ai e gjeti golin e parë edhe në sezonin 2022/23.

Goli i tij ndaj Betisit u dha shpresë tifozëve të Mallorcas, të cilët po e ëndërronin rikthimin e tij kur ai ishte kthyer përkohësisht në Lazio, e cila e mbante kartonin e lojtarit.

Muriqi është adaptuar në mënyrë perfekte me lojën që e aplikon trajneri Javier Aguirre.

Madje, që nga zbarkimi në futbollin spanjoll, Muriqi ka shënuar më së shumti gola me kokë, 4, në total prej 19 ndeshjesh të zhvilluara.

Koka dhe penalltia, dy armët e forta të Muriqit

Muriqi i ka realizuar 6 gola në total që prej transferimit të tij në Mallorca.

Për çudi, sulmuesi kosovar nuk ka shënuar ende gol me këmbë në lojë të rregullt.

Ai në fakt ka realizuar dy herë nga penalltia, ndaj Cadizit dhe kundër Atletico Madridit.

Gjithashtu, e ka gjetur katër herë golin me kokë.

Natyrisht, shënimi i pjesës më të madhe të golave me kokë nuk është një risi e as një befasi, duke e pasur parasysh se ai është i gjatë 194 centimetra, të cilat ia mundësojnë të jetë mjaft i rrezikshëm për mbrojtjet dhe portierët kundërshtarë.

Edhe kur shkon në mbrojtje për ndonjë rivënie këndi, ai është një protagonist i qartë për ta larguar topin.

Të shënosh me kokë ndoshta duket e lehtë, por pas dy xhirosh në La Liga jo shumë lojtarë kanë arritur ta bëjnë këtë, shkruan “Gazeta Express”.

Chimy Ávila, Gonçalo Paciencia, Sadiq dhe i lartpërmenduri Muriqi janë të vetmit që kanë shënuar me kokë.

Deri tash, në La Liga këtë edicion janë realizuar hiç më pak se 49 gola. 

Të ngjashme