Man United mposhtet bindshëm nga Watfordi

Prishtinë | 20 Nën 2021 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Manchester United po e vazhdon formën e dobët këtë edicion në Premierligë. “Djajtë e Kuq” u mposhtën në udhëtim nga Watfordi me rezultat 4:1.

Vendasit e nisën furishëm duke kaluar në epërsi të dyfishtë pas pjesës së parë, shkruan Gazeta Express.

Fillimisht Joshua King realizoi në minutën e 28-të, kurse një minutë para fundit të pjesës së parë realizoi edhe Sarr.

Me të nisur pjesa e dytë erdhi kundërpërgjigjja e Manchester Unitedit, kur Donny van de Beek realizoi në minutën e 50-të të ndeshjes.

Mysafirët më pas u vunë në aksion në kërkim të golit të barazimit, por ia “preu këmbët” kartoni i dytë i verdhë i Maguire, i cili bëri gabim amatoresk, duke u përjashtuar nga ndeshja.

Golin e tretë e realizoi Joao Pedro në minutën e 90+2, kurse katër minuta më vonë për rezultatin 4:1 shënoi Dennis.

Me këtë fitore, Watford shkon në kuotën e 13 pikëve në vendin e 16-të dhe ikën nga zona e rrezikshme.

Në anën tjetër, Manchester United mbetet i shtati me 17 pikë. 

Të ngjashme