Manaj e sheh veten në futbollin turk edicionin e ardhshëm

Prishtinë | 02 Qer 2020 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Edicioni 2019/20 në Superligën e Kosovës në futboll, që do të rifillojë këtë javë pas pezullimit shkaku i koronavirusit, pritet të jetë i fundit për sulmuesin e Trepçës ’89, Arb Manaj. Manaj edicionin e ardhshëm pritet ta vazhdojë karrierën në një kampionat jashtë kufijve të Kosovës, pasi tashmë ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave evropiane.

Për sulmuesin nga Klina, interesimi më i fortë vjen nga Turqia, saktësisht nga klubet Denizlispor e Goztepe, por nuk mungojnë edhe ofertat nga Suedia, Zvicra e Sllovenia. Manaj 21-vjeçar tashmë ka konfirmuar se në fund të këtij edicioni, do të largohet nga Trepça ’89 për një ekip në Evropë, por që emrin e tij nuk e ka zbuluar. Madje, interesimin e Denizlisporit e Goztepes për Manajn, e kanë konfirmuar gjatë ditës së hënë edhe mediumet turke.

“Kam kontratë me Trepçën ’89 deri në vitin 2021, por pas këtij sezoni do të ulemi të bisedojmë me kryesinë e klubit pas ofertave konkrete në drejtim timin dhe të klubit. Oferta kam pasur nga shtetet si Zvicra, Suedia, Sllovenia, por edhe nga Turqia, kjo pasi që edhe sulmuesi Vedat Muriqi po na promovon jashtëzakonisht shumë në ligën e Turqisë. Nuk kemi vendosur ende dhe nuk e di se ku do të jem në sezonin e ri”, u shpreh Manaj për “Kohën”. Ai deri para pezullimit të garave ka pasur paraqitje të mira. Manaj është golashënuesi më i mirë te Trepça ’89, me 11 gola të shënuar. Në fakt, 11 gola i ka edhe sulmuesi i Ballkanit, Blend Baftiu, me të cilin ndajnë vendin e parë. Megjithatë, Manaj është më i fokusuar në suksesin ekipor sesa individual.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme