Manaj: Nëse luajmë si sot në pjesën e dytë, mund të arrijmë objektivin

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Rey Manaj i hapi udhë goleadës së Kombëtares Shqiptare ndaj San Marinos, teksa deri në fund të pjesës së parë dërgoi tre herë topin në rrjetë, ndonëse dy gola iu anuluan për pozicion jashtë loje.

Në intervistën për SuperSport, sulmuesi lushnjar u shfaq i kënaqur për fitoren, por shprehu sërish keqardhje për mënyrën si erdhi ajo humbje në Poloni.

Pas kësaj fitoreje ndaj San Marinos, besoj se ju vjen edhe më shumë keq për humbjen në Poloni?

“Në ndeshjen me Poloninë bëmë gabime dhe duhet të jemi më të përqendruar, pasi lojtarë si Lewandowski nuk falin. Duhet të vëmë theksin te grupi dhe të luajmë si sot në pjesën e dytë, për njëri-tjetrin dhe pa asnjë lloj presioni. Trajneri do gjithmonë më të mirën nga ekipi, por në fund rezultati ishte 5-0 dhe mbajtëm pak topin. Ai si trajner do të kërkojë gjithmonë më shumë, por jemi të kënaqur”, tha Manaj.

Si e zgjidhët çështjen e numrit me Bajramin?

Nuk ka pasur çështje për këtë, pasi kur mungon një lojtar, numri mund të merret dhe kjo është normale. Nuk është asnjë lloj problemi në këtë mes, madje Bajrami kur ma mori numrin tha, nuk kërkova këtë numër, por ma dhanë.

Sa shanse ka Shqipëria për vendin e dytë?

Kemi shumë shpresa, por duhet të përqendrohemi shumë. Mund të bëjmë super ndeshje si me Poloninë në pjesën e parë, por pësuam 4 gola për gabime tonat. Kemi një shans tjetër, pasi në tetor presim Poloninë dhe e kemi gjithçka në dorën tonë./ss

Të ngjashme