Manchester Unitedi përjeton ankth në Teatrin e Ëndrrave, turpërohet nga Liverpooli

Prishtinë | 24 Tet 2021 | 19:37 | Nga Ekonomia Online

Liverpooli e ka dërrmuar plotësisht 5:0 Manchester Unitedin, duke ia shkaktuar njërën prej disfatave më të thella në historinë e klubit në Premierligë të dielën.

Mohamed Salah shkëlqeu duke shënuar het-trik, ndërsa Naby Keita dhe Diogo Jota shënuan nga një herë tjetër në fitoren më bindëse të skuadrës së Jurgen Kloppit ndaj Unitedit.

Ishte vetëm një skuadër në fushën e Old Traffordit të dielën pasdite dhe ajo ishte Liverpooli.

Të kuqtë nuk humbi kohë dhe kaloi në epërsi në minutën e 5-të, kur Keita e mposhti David de Gean ballë për ballë, pasi u shërbye nga Salah.

Jota e dyfishoi epërsinë duke e futur topin në portën boshe nga afërsia pas një harkimi nga Trent-Alexander Arnold në minutën e 13-të, para se Salah të shënonte për 3:0 në minutën e 38-të.

Salah e shënoi të dytin personal dhe të katërtin për Liverpoolin në minutën e 45-të, duke i dhënë shumë për të menduar Ole Gunnar Solskjaerit në pushimin mes pjesëve.

Por skuadra e Kloppit e nisi pjesën e dytë aty ku e kishte lënë të parën dhe Salah e çoi epërsinë në 5:0 duke e kompletuar het-trikun në minutën e 50-të.

Kur akrepat shënonin një orë lojë, Paul Pogba u përjashtua nga loja me karton të kuq për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Keitas.

Në gjysmë orën e mbetur, Liverpooli e shëtiti topin nëpër fushë me qejf, ndërkohë që djajtë e kuq e ndoqën atë të trullosur.

Liverpooli mbetet i pamposhtur këtë sezon në ligë dhe tani mbledh 21 pikë në vendin e dytë, vetëm një më pak se lideri Chelsea.

Manchester Unitedi, që e pësoi humbjen e tretë në ligë këtë sezon, bie në vendin e shtatë me 14 pikë.

Të ngjashme