Mancini: Italia mund të përfitojë nga shtyrja e Evropianit

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 07:17 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini beson se shtyrja e Evropianit mund të shkojë në favor të ekipit të tij.

Në një intervistë për Sky Sport Italia, Mancini ka thënë se mund të sjellë vështirësi distanca prej 10 muajve në mes të grumbullimeve të përfaqësueses.

Mancini ka ringjallur Italinë që kur e mori drejtimin e saj në vitin 2018, pasi azurët dështuan të kualifikohen për Botërorin e atij viti.

Nën drejtimin e tij Italia i ka fituar të gjitha ndeshjet e kualifikimeve për Euro 2020, ndërsa është në seri prej 11 fitoreve.

“Nëse do të luanim Evropianin në qershor ne do të kishim shanse të mira, por ndoshta do të përballeshim me përfaqësuese që janë më mirë të përgatitura për faktin se kanë nisur të përtërijnë ekipin më herët së ne, apo që kanë ekipe të formuara shumë kohë më parë, si Franca për shembull”, ka thënë Mancini.

“Me një vit më shumë, djemtë do të kenë mundësinë të përmirësohen në çdo aspekt. Do të fitojnë përvojë”.

Mancini është i bindur se Italia mund të garoj me më të mirët. Ai shpreson të jetë trajner i ekipit të Italisë që do të fitojë titullin e parë evropian që nga viti 1968.

Italia fitoi 9:1 në ndeshjen e fundit ndaj Armenisë, në nëntor. Dy miqësore të marsit janë anuluar për shkak të pandemisë. Evropiani është shtyrë për vitin 2021, ndërsa janë shtyrë apo anuluar të gjitha ndeshjet e qershorit dhe korrikut.

Italia ndeshjet e ardhshme duhet t’i luaj në shtator.

“Nuk kemi parë njëri-tjetrin për muaj. Do të takohemi në shtator dhe atëherë do të jetë thuajse një vit që nga grumbullimi i kaluar. Do të jetë vështirë. Më pas do të kemi orar të ngjeshur me Ligën e Kombeve, Evropianin dhe kualifikimet e Botërorit. Do të ketë fare pak mundësi për të ushtruar”, ka theksuar Mancini.

Të ngjashme