Mancini: Kualifikim i merituar

Prishtinë | 27 Qer 2021 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Italia djersiti shumë por pas 120 minutash lojë dhe shumë vuajtjesh ja doli të kualifikohej në çerekfinalet e Euro 2020 duke eliminuar Austrinë falë suksesit 2-1 në Wembley.

Në këtë duel Italia e Mancinit vendosi edhe një rekord historik duke e çuar në 31 numrin e ndeshjeve pa humbje dhe duke thyer kështu rekordin që zgjaste prej 82 vitesh nga 1939 kur numri i ndeshjeve pa humbje ishte 30.

“U kualifikuam sepse e meritonim. Sinqerisht duhet t’i kishim shënuar dy golat shumë më herët dhe të mos shkonim në shtesë. U lodhëm, por fituam me meritë.Lojtarët që u futën nga stoli kishin mentalitetin e duhur dhe u futën në ndeshje për ta ndryshuar lojën. Ishin të jashtëzakonshme, dhanë gjithçka që kishin”, tha fillimisht trajneri i Italisë, i cili më pas shtoi.

“E dija që do të ishte e vështirë, ndoshta edhe më e ashpër se çerekfinalja. Ndeshje mund të marrin drejtimin e gabuar, por ne luajtëm mirë dhe e meritonim të kualifikoheshim. Ky test do të na bëjë mirë, na u desh të tregojmë mentalitetin e fortë”.

Meritat për këtë fitore shkojnë padiskutim për trajnerin Mancini që diti të bënte ndërhyrjet e duhura në formacion pasi suksesi erdhi nga stoli, fillimisht Chiesa dhe më pas Pessina që deri tani e ka zëvendësuar në mënyrë perfekte Stefano Sensin mbajtën gjallë ëndrrën Euro 2020 për të kaltrit.

Të ngjashme