Maqedonia e Veriut favorite kundër Kosovës, sipas bastoreve botërore

Prishtinë | 08 Tet 2020 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar lehtësisht Maqedoninë e Veriut, në përballjen kualifikuese kundër Kosovës për Kampionatin Evropian 2020, e cila do të zhvillohet sonte në Shkup.

Kosova është mysafire e Maqedonisë së Veriut në Arenën Kombëtare Todor Proeski, në një ndeshje gjysmëfinale të play-off’it për pjesëmarrje në Euro 2020 që mbahet verën e vitit të ardhshëm, raporton Gazeta Express.

Shumica e shtëpive më të mëdha të basteve, përfshirë Bet-at-home, Bwin dhe Bet365, e shohin Maqedoninë e Veriut si favorite ndaj Kosovës, pasi i ka vënë kuotën 2.45 dhe 2.50 për të fituar.

Ndërsa fitores së mundshme të Kosovës i kanë vendosur kuotë më të lartë, 3.00.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, përballet me shumë mungesa, përfshirë lojtarët kyçë si Vedat Muriqi, Milot Rashica, kapiteni Amir Rrahmani, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi, Idriz Voca dhe Samir Ujkani.

Atij do t’i duhet t’i mbulojë mungesat e mëdha edhe me lojtarë nga luajnë në pozita tjera.

Ndërkohë, shteti fqinj i ka vetëm dy mungesa në këtë takim, portieri Martin Bogatinov dhe ylli i Napolit, Elif Elmas.

Maqedonia është në formë më të mirë kohëve të fundit, pasi i ka tri fitore, një barazim dhe dy humbje në gjashtë ndeshjet e fundit.

Kosova, megjithatë, ka përjetuar rënie drastike në formë, duke i humbur katër nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Të ngjashme