Maradona: Nëse Man Unitedi do trofe, të më ftojë mua

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 08:59 | Nga Ekonomia Online

Diego Maradona pretendon se ai është personi i duhur për ta kthyer Manchester Unitedin në majat e futbollit evropian. Legjenda argjentinase shtoi se këtë gjë mund ta arrijë edhe pa Paul Pogbën.

Përkundër që ka dështuar ta promovojë skuadrën e tij në ligën e nivelit të parë të futbollit në Meksikë për të dytin sezon radhazi, Diego Maradona është ende në pozitën e trajnerit të Doradosit, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi për momentin drejtohet nga Ole Gunnar Solskjaer, i cili e zëvendësoi Jose Mourinhon në pozitën e trajnerit në mes të sezonit të kaluar. Ai fillimisht u emërua vetëm përkohësisht, por më vonë e fitoi këtë pozitë në mënyrë permanente.

Por, Maradona beson se ai është personi i duhur për të sjellë trofe në stadiumin “Old Trafford”, nëse do i ishte dhënë mundësia për ta drejtuar Manchester Unitedin.

“Nëse Manchester Unitedi ka nevojë për një trajner, unë jam njeriu i duhur për ta bërë këtë gjë. E di se ata shesin shumë fanella rreth e përqark botës, por ata duhet të fitojnë edhe trofe. Unë mund ta bëj këtë gjë për ta”, ka thënë Maradona.

“Te Manchester Unitedi, mua më pëlqen Ander Herrera. Paul Pogba? Ai nuk punon mjaftueshëm. Unë kam luajtur në Old Trafford në çerekfinalen e Cup Winners Cup në sezonin 1983/74. Çfarë zhurme, si La Bombonera”.

“Manchester Unitedi ishte skuadra ime e preferuar angleze për një kohë të gjatë. Ka pasur shumë lojtarë të mrekullueshëm dhe e kishin një skuadër të mrekullueshme sa ishte në drejtim Alex Fergusoni”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme