Maratona e Londrës mund të mbahet vetëm me vrapues elitarë

Prishtinë | 25 Pri 2020 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Maratona e shtyrë e Londrës këtë vit mund të mbahet vetëm me atletë elitarë, ka thënë drejtori i garës së famshme, Hugh Brasher.

Sipas BBC, Brasher ka thënë se ky është njëri prej dhjetë opsioneve të mundshme e që po ndryshojnë gjatë tërë kohës. Ai e ka lënë të hapur mundësinë për shtyrje të mëtejme të garës.

Maratona e Londrës është dashur të mbahet të dielën por është shtyrë për 4 tetor për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Afërsisht 43 mijë vrapues morën pjesë vitin e kaluar, ndërsa vrapuesit e famshëm, Eliud Kipchoge dhe Kenenisa Bekele pritet të zhvillojnë garë të fortë këtë vit.

“Ne shpresojmë t’i mirëpresim ata sërish në tetor, por në këtë fazë ne nuk e dimë çka do të ndodhë”, ka thënë Brasher.

“Ne duhet të shikojmë për të gjithë të përfshirët, për qindra mijëra spektatorë, stafin mjekësor, vrapuesit. Ne po shqyrtojmë rreth dhjetë skenarë dhe ata po ndryshojnë vazhdimisht”, ka shtuar Brasher.

Maratona e Tokios u mbajt muajin e kaluar me pjesëmarrjen e vetëm atletëve elitarë. Ata vrapuan në rrugë të zbrazëta.

Maratona e Berlinit, që me atë të Londrës janë prej më të famshmeve, nuk do të mbahet më 27 shtator, ashtu siç është planifikuar.

Brasher ka thënë se janë diskutuar disa ide radikale, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme