Marrëveshja e klubeve të mëdha të Evropës për t’i dhënë fund Ligës së Kampionëve

Prishtinë | 01 Jan 2019 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Një nga lajmet që e tronditi më së shumti botën e futbollit këtë vit ishte dokumenti i publikuar nga gazeta gjermane Der Spiegel që dëshmonte se disa nga klubet më të mëdha të Evropës e kishin ideuar krijimin e një ligë të re, të quajtur Super League, e cila do ta zëvendësonte Ligën e Kampionëve, por edhe ligat vendore.
Natën e 22 tetorit, Real Madridi mori një mesazh elektronik me titullin “Drafti i Marrëveshjes të 16-ve”. Ky mesazh i ishte dërguar presidentit të klubit, Florentino Perezit. Dokumenti në këtë mesazh ishte drafti 11-faqësh i marrëveshjes së klubeve të mëdha evropianë për krijimin e Super Ligës.

11 themeluesit e kësaj lige nuk do të jenë në rrezik të eliminohen nga liga dhe e kanë anëtarësinë e garantuar për 20 vjet. Pesë klube të tjera do të merrnin pjesë si “mysafir fillestarë”, kështu që liga do të përbëhej nga 16 ekipe.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Der Spiegel, ky projekt ishte sekret. Sipas draftit që i ishte dërguar Perezit, data për nënshkrimin e këtij dokumente nga përfaqësuesit e 16 klubeve ishte nëntor 2018, mirëpo një datë më e saktë nuk ishte specifikuar.

11 klubet të listuara si themeluesit e Super Ligës, të cilët nuk rrezikojnë të eliminohen, janë Real Madridi, Barcelona, Manchester Unitedi, Juventusi, Chelsea, Arsenali, Paris Saint-Germaini, Manchester City, Liverpooli, Milani dhe Bayern Munichu. Këto klube janë pjesë e shoqërisë sekrete, ku si mysafir fillestarë, sipas këtij dokumenti, do të jenë: Atletico Madridi, Borussia Dortmundi, Marseille, Interi dhe Roma.

11 klubet themeluese planifikonin ta regjistronin një kompani në Spanjë, e cila do të merrej me anën e marketingut, organizimit dhe ekzekutimit të Super Ligës Evropiane. Gara planifikohet të zhvillohet në dy faza: fazën e grupit dhe fazën e play-offs. Ata planifikonin ta organizojnë edhe një ligë të dytë, nën Super Ligën.

Nga kjo ligë e dytë, ekipet më të mira në fund të sezonit do të luanin një seri ndeshjesh, si playoffs, për ta siguruar një vend në Super Ligë, por vetëm kundër ekipeve si “mysafire fillestare” pasi që themeluesit janë anëtarë të përhershëm. Ky projekt ishte bazuar në Euroligën e Basketbollit.

Dokumenti përfshin gjithashtu edhe përqindjen e aksioneve që do të kishte secili klub për pronësinë e kësaj lige. Real Madridi planifikohet t’i ketë 18.77% të aksioneve, Barcelona 17.61% dhe Manchester Unitedi 12.58%. Në vend të katërt është Bayern Munichu me 8.29%.

Këto klube kishin planifikuar ta fillonin këtë ligë në vitin 2021, megjithatë një gjë e tillë i është mohuar nga organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA. Presidenti i këtij organi, Aleksander Ceferin, e kishte quajtur këtë synim të klubeve evropiane një ëndërr.

“Super Liga nuk do të ndodhë. Në njëfarë mënyrë është trillim ose ëndërr. Ne i kemi disa ide. E vetmja gjë që mund ta them është se për Super Ligën nuk duhet as të diskutojmë. Klubet do të vazhdojnë me pjesëmarrjen e tyre në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Ceferin.

Edhe Shoqata e Ligave Evropiane i kishte dalë menjëherë në mbrojtje UEFA-s në luftën për ta mbajtur kontrollin e garave të futbollin në Evropë, duke thënë se ata e mbështesin UEFA-n pasi që besojnë se “Super Liga” do ta rrezikonte futbollin në Evropë.

“Shoqata e Ligave Evropiane e ka kundërshtuar vazhdimisht idenë e krijimit të një Super Lige të tillë. Ne e mbështesim modelin e sporteve evropiane, ku ekzistojnë mekanizma të rënies me ngritjes në liga dhe meritat janë baza e çdo gare”, shkruhej në deklaratën e Shoqatës së Ligave Evropiane.

“Futbolli vendor është zemra për të gjithë botën e futbollin në Evropë: për lojtarët, klubet, ligat, Federatat e Futbollit, dhe më e rëndësishmja, për tifozët. Propozimi për krijimin e Super Ligës do të ketë ndikim serioz dhe afatgjatë në futbollin profesionist në Evropë”.

“Brenda këtij konteksti, Shoqata e Ligave Evropiane e mbështet plotësisht UEFA-n për ta menaxhuar organizimin e garave për klubet e futbollit në Evropë dhe ne duam të vazhdojmë ta mbrojmë principin për ta theksuar konkurrencën në futbollin evropian”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme