Martinez e vlerëson lartë Italinë: Është skuadra më e mirë në Evropian

Prishtinë | 28 Qer 2021 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Belgjika ka arritur të kalojë në çerekfinale të Kampionatit Evropian, pas fitores ndaj Portugalisë me rezultat 1-0.

E në këtë fazë të garave, belgët do të takohen me Italinë, skuadër që ka katër fitore nga po aq ndeshje.

Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez ka vlerësuar lartë kundërshtarin e radhës, duke thënë se janë ekipi më i mirë në Euro 2020.

“Italia është ndoshta ekipi më i mirë i turneut. Ajo që ka bërë Mancini është një shembull se si ta bëjmë një ekip të rritet dhe mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur mes dy skuadrave të shkëlqyera”, deklaroi Martinez.

Tutje trajneri foli edhe për fitoren e skuadrës së tij ndaj Portugalisë.

“Ishim të përqendruar, duke u mbrojtur me të vërtetë mirë. Kontrolluam lojën, shënuam një gol të shkëlqyer dhe më pas, në pjesën e dytë, siç pritej, Portugalia kishte më shumë vrull. Duhej të demonstronim mentalitet të fortë. Gjithçka vërtitej rreth atyre aspekteve, të të qenit i disiplinuar taktikisht dhe shumë, shumë dinak”, tha Martinez.

Krejt në fund i pari i shtabit teknik të Belgjikës foli edhe për dyshen Eden Hazard dhe Kevin de Bruyne që u larguan të lënduar nga ndeshja me Portugalinë.

“De Bruyne pësoi një goditje të ashpër në kyçin e këmbës dhe mjekët ende nuk kanë përcaktuar diagnozën. Për Hazard është më shumë një problem muskulor. Kemi nevojë për 48 orë kohë për të vlerësuar shkallën e lëndimeve. Do të kthehemi në Belgjikë dhe do të kryejmë ekzaminimet e duhura”, përfundoi Martinez.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme