Matthaus: Bayerni më i fortë se Chelsea, e fiton tripletën këtë vit

Prishtinë | 24 Shk 2020 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Bayern Munich është favorit i qartë për ta mposhtur një skuadër si Chelsea, e cila nuk ka më shkëlqimin e ditëve të mëparshme, kur bavarezët dhe londinezët të takohen në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, sipas Lothar Matthaus.

Të kaltrit do t’i presin kampionët e Gjermanisë në “Stamford Bridge” të martën në mbrëmje. Të dyja palët do të shkojnë në këtë përplasje me besim, pas fitoreve që rrisin moralin, në ligat e tyre përkatëse, gjatë fundjavës.

Matthaus nuk mendon se skuadra e Frank Lampard do të jetë e pakalueshme për Bayernin, i cili shënoi 24 gola në rrugën e tij të kualifikimit deri këtu, me gjashtë fitore në gjashtë ndeshje në Grupin B: “Bayerni është favorit i qartë. Ky nuk është më Chelsea i madh si në të kaluarën, me lojtarë si Michael Ballack, John Terry, Frank Lampard dhe Didier Drogba. Është një ekip shumë i ri, që ka pësuar mjaft ndryshime. Prandaj, supozoj se Bayerni do të kualifikohet në raundin tjetër me dy paraqitje të mira.”

“Për sa i përket cilësisë, Bayerni është shumë më lart se Chelsea. Në Premier League, blutë janë vetëm të katërtit në klasifikim, më shumë se 30 pikë pas Liverpool. N’Golo Kante është, gjithashtu, i dëmtuar. Në përgjithësi, skuadra nuk ka më shkëlqimin e ditëve të mëparshme. Qysh kur Flick është bërë trajner, Bayerni ka qenë i qetë. Kjo është një periudhë e krahasueshme me atë të Jupp Heynckes”, shtoi ai.

“Hans ka krijuar një atmosferë të mirë në ekip, ai është i shkëlqyeshëm në aspektin njerëzor dhe komunikues. Unë mendoj se tre tituj (tripleta) janë të mundshëm, por gjithçka duhet të arrihet me përkushtim e përqendrim maksimal. Është e rëndësishme që Lucas Hernandez dhe Kingsley Coman të jenë në nivel të lartë, për t’i dhënë skuadrës më shumë cilësi”, theksoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme