Mayer thyen rekordin e botës në dhjetëgarësh

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 15:27 | Nga

Francezi Kevin Mayer ka arritur të lërë në harresë zhgënjimet e fundit duke vendosur rekord të botës në dhjetëgarësh në mitingun e atletikës në Talence të Francës, të dielën.

Kampioni i botës dhe nënkampioni olimpik Mayer ka mbledhur 9126 pikë, duke thyer rekordin e botës të amerikanit Ashton Eaton prej 9.045 pikëve, që e kishte vendosur në vitin 2015 në Botërorin në Pekin. Ai e përfundoi vrapimin vendimtar në 1.500 metra për 4:36.11 minuta, ndërsa i duhej një kohë 4:49 minuta për të thyer rekordin e botës, transmeton “Koha Ditore”.

“Ka qenë një shfaqje e jashtëzakonshme e aftësive! Jam shumë i lumtur për Mayerin dhe më tepër për të ardhmen e dhjetëgarëshit”, ka shkruar Eaton në “Twitter”.

“Gjëja me rëndësi për mua ka qenë gjithmonë të vazhdoj të shtyj limitet dhe të inspiroj të tjerët të bëjnë këtë. Sa më tepër të kemi garues me 9.000 pikë aq më mirë do të jetë për dhjetëgarëshin. Ky është një hap tjetër drejt ëndrrës për të arritur shifrën e 10 mijë pikëve”. Kampioni i dyfishtë i botës, amerikani Trey Hardee po ashtu ka qenë i impresionuar me këtë arritje të francezit.

“Bravo! 9 126 pikë rekord bote, në atë që ishte paraqitja më e mirë në histori të dhjetëgarëshit. Për herë të parë në histori nuk pati ndonjë lëshim. E jashtëzakonshme”, ka shkruar Hardee. Vetëm tre garues të tjerë kanë thyer barrierën e 9.000 pikëve në garën që mbahet gjatë dy ditëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme