Mbappe kërkon klauzolë të veçantë në kontratën e re me PSG-në

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Kylian Mbappe pritet të nënshkruajë kontratë të re me Paris Saint-Germainin, mirëpo dëshiron të ketë të përfshirë në atë kontratë një klauzolë të veçantë që do t’ia lejonte atij transferimin në Real Madrid ose në ndonjë klub tjetër evropian.

Real Madridi është në mesin e klubeve që tashmë ka nisur të planifikojë për afatin kalimtar të verës, përderisa Kylian Mbappe mbetet prioriteti kryesor për presidentin e klubit, Florentino Perezin.

Megjithatë, tani e përditshmja spanjolle AS raporton se Mbappe ka qenë në negociata me Paris Saint-Germainin për rinovimin e kontratës së tij. Megjithatë, ylli francez e ka bërë një kërkesë të veçantë gjatë këtyre negociatave.

Përderisa bisedimet po vazhdojnë, Mbappe po insiston në përfshirjen e një klauzolë për shkëputjen e kontratës së tij në marrëveshjen e re, pasi që 21-vjeçari thuhet se e do veçanërisht transferimin në Real Madrid.

Paris Saint-Germaini raportohet se është i gatshëm ta pranojë këtë kërkesë, mirëpo vetëm nëse klauzola për shkëputjen e kontratës së tij vendoset mbi 222 milionë euro – shuma që PSG-ja e pagoi për klauzolën e Neymarit kur e transferoi nga Barcelona në vitin 2017.

Përfshirja e një klauzolë të tillë do të thoshte që cilido klub që arrin marrëveshje personale me Mbappen dhe që mund ta përballojë çmimin e klauzolës, do të mundë ta transferonte futbollistin edhe pa dëshirën e klubit francez, pa marrë parasysh edhe sa vjet do të ishte e vlefshme kontrata e tij. 

Të ngjashme