“Mbappe mund t’i ndjekë hapat e Ronaldos në Real Madrid”

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, beson se Real Madridi ka nevojë për një lojtar si Kylian Mbappe, që mund t’i ndjekë hapat e Cristiano Ronaldos, mirëpo e pranon se madrilenët do ta kenë të vështirë ta transferojnë yllin e Paris Saint-Germainit.

21-vjeçari Kylian Mbappe vazhdon të jetë i përfolur për një transferim në Real Madrid nga Paris Saint-Germaini, ku ka shkëlqyer për tre sezonet e fundit të karrierës së tij.

Real Madridi e ka pasur të vështirë ta zëvendësojë Ronaldon, i cili vendosi të largohej nga gjiganti i La Ligës dhe t’i bashkohej Juventusi gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2018.

Cannavaro, i cili i fitoi dy tituj të La Ligës me Los Blancos si lojtar, beson se Mbappe mund të jetë pikërisht lojtari që i nevojitet klubit për ta zëvendësuar pesë-herë fituesin e Topit të Artë.

“Real Madridit i duhen lojtari si Mbappe, një yll i ri i cili mund t’i ndjekë hapat e Cristiano Ronaldos”, tha Cannavaro, trajner i Guangzhou Evergrande, në një intervistë të dhënë për AS.

“Është normale që Real Madridi dëshiron ta transferojë atë, por gjithashtu duhet të pranohet fakti që pronarët e PSG-së nuk kanë nevojë për para. Ata janë ambiciozë dhe duan të fitojnë Ligën e Kampionëve”.

“Mendoj se do të jetë e vështirë për Real Madridin ta transferojë atë. Presidenti i PSG-së është një person që dëshiron të fitojë, unë i njoh ata mirë dhe ata do të luftojnë me mish e me shpirt për ta mbajtur Mbappen në skuadër”./ge

Të ngjashme