Mbappe: S’më intereson Topi i Artë, e dua Kupën e Botës

Prishtinë | 11 Kor 2018 | 09:30 | Nga

Kylian Mbappe thotë se dëshiron ta fitojë Kupën e Botës dhe se nuk është i interesuar në çmime individuale, siç është Topi i Artë.

Mbappe shkëlqeu në fitoren e Francës 1-0 ndaj Belgjikës të martën mbrëma në gjysmëfinale të Botërorit Rusia 2018.

Franca mbrëmë e siguroi një vend në finale të Kupës së Botës për herë të parë që prej vitit 2006, kur u mposht nga Italia, dhe do të përballet me Kroacinë apo Anglinë të dielën.

Franca s’e ka fituar Botërorin që prej vitit 1998, kur triumfoi në atdheun e vet, dhe tani e ka këtë mundësinë të artë me Mbappen që është vlerësuar si fitues i mundshëm i Topit të Artë të Botërorit pas paraqitjeve të shkëlqyera.

Me Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin që u eliminuan herët nga turneu dhe dështuan t’i lënë shenjat e tyre, Mbappe konsiderohet si kandidat për ta fituar edhe Topin e Artë, por ai thotë se nuk i bën për çmimin më prestigjioz individual, transmeton Gazeta Express.

“Është e paimagjinueshme. Është ëndërr jetësore, e një të ardhmeje, e gjithçkaje. Nuk kam fjalë”, tha Mbappe për TF1.

“As në ëndrrat e mia më të mëdha nuk e kam imagjinuar këtë, edhe pse jam ëndërrimtar i madh. Nuk më bën për Topin e Artë, e dua Kupën e Botës”, insistoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme