Mbrojtësi gjerman ngjitet në tribuna dhe përleshet me tifozë

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i Hamburgut, Toni Leistner, pritet të përballet me ndëshkim disiplinor, pasi u ngjit në tribunat e stadiumit për t’u ballafaquar fizikisht me tifozët e Dynamo Dresden, pas humbjes së skuadrës së vet 4:1 në rrethin e parë të DFB-Pokal, Kupës së Gjermanisë.

Një video e shpërndarë me të madhe në rrjetet sociale, e shfaq Leistnerin – i cili iu bashkua klubit nga Bundesliga 2 nga QPR-ja muajin e kaluar – duke e shtyrë me të dy duart një tifoz në tribunat e stadiumit Rudolf-Harbig dhe duke argumentuar me të tjerët ulur atypari, transmeton Gazeta Express.

Leistner ishte duke dhënë intervistë pas ndeshjes afër tifozëve të Dresden që po brohorisnin njëkohësisht, para se të ngjitej në tribuna për t’u ballafaquar me ta.

Mbrojtësi gjerman kishte luajtur për Dresdenin nga viti 2010 deri më 2014.

Më shumë se 10 mijë tifozë ishin të pranishëm në atë takim, më së shumti në një ndeshje në futbollin gjerman që prej shpërthimit të pandemisë koronavirus në mars.

Ky incident ishte kapaku i një nate për t’u harruar nga Hamburgu, pasi u rrah keq nga kundërshtari që bën gara në nivelin e tretë të futbollit gjerman. 

Të ngjashme