Mbrojtësi i Liverpoolit e zbulon planin për ta ndalur Messin

Prishtinë | 30 Pri 2019 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i krahut të majtë të Liverpoolit, Andrew Robertson, beson se skuadra e tij duhet ta mbrohet e bashkuar kundër Lionel Messit, të cilin e konsideron futbollistin më të mirë në botë.

Skuadra e Jurgen Kloppit do të përballet me Barcelonën në Camp Nou për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të mërkurën, dhe mbrojtësi anësor Andrew Robertson është gati për këtë detyrë të vështirë.

Liverpooli e ka synim ta arrijë finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi u mposhtën nga Real Madridin në finalen e sezonit të kaluar. Megjithatë, për ta arritur këtë synim, ata duhet ta mposhtin favoritin në gjysmëfinale.

“Nuk mendoj se duhet të përgatitemi në ndonjë mënyrë tjetër në krahasim me ndeshjet e tjera. Natyrisht, do të luajmë kundër një lojtari më të mirë sesa zakonisht… ai është lojtari më i mirë në botë. Ju mund të shikoni klipe, por nuk besoj se kjo do të ju ndihmojë”, ka thënë Robertson.

“Por, mendoj se të gjithë duhet të jemi të përgatitur pasi që Messi luan kudo në fushë. Ju e shikoni, ai nganjëherë kthehet në mesin e fushës dhe e merr topin. Ai mund të fillojë në krahun e djathtë, por unë jam përgatitur që ai të mos qëndrojë aty”.

“E di që ai do të jetë duke vrapuar drejt nesh nganjëherë, kështu që gjithçka ka të bëjë më mënyrën se si do të mbrohemi kundër tij. Duhet të mbrohemi të bashkuar, por problemi është që nuk është vetëm ai”.

“Nëse e mban atë të heshtur, pastaj e ke Philippe Coutinhon, të cilin e njohim mirë të gjithë, e ke Luis Suarez dhe njerëz të tillë që mund të të shkaktojnë probleme. Detyra jonë nuk është ta heshtim një person, por të gjithë skuadrës. Kjo do të jetë gjëja më e vështirë për ne”.

Liverpooli e arriti finalen me mjaft vështirësi sezonin e kaluar, me fitore me rezultat të përgjithshëm 7:6 kundër Romës, në fazën gjysmëfinale. Megjithatë, ata kanë qenë më mbresëlënës këtë sezon dhe tani janë në garë të ngushtë edhe për titullin e Premierligës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme