Mbrojtësi i Premierligës i bashkohet protestës në Angli për George Floydin

Prishtinë | 05 Qer 2020 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Tyrone Mings e shprehu përkrahjen e tij për lëvizjen “Black Lives Matter” (shqip: “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi”), duke marrë pjesë në një protestë, bashkë me rreth 4000 njerëz të tjerë, në Birmingham të Anglisë të enjten.

Mbrojtësi i Aston Villës dhe Anglisë, i cili mori pjesë në protestën në sheshin Victoria në Birmingham, protestoi kundër racizmit dhe brutalitetit policor, pas vdekjes së amerikanit George Floyd dhe viktimave të tjera me ngjyrë si shkak i dhunës së ushtruar nga policët, transmeton Gazeta Express.

Futbolli dhe politika i kanë kryqëzuar rrugët gjatë ditëve të fundit, pasi që një numër i futbollistëve dhe klubeve të famshme i janë bashkuar lëvizjes “Black Lives Matter” pas vdekjes së George Floyd.

Floyd vdiq më 25 maj, pasi një polic i bardhë, i cili që nga atëherë është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e tij, e kishte mbajtur në tokë duke ia vënë gjurin mbi qafë për gati nëntë minuta.

Mings postoi në llogaritë e tij në rrjete sociale fotografi nga këto protesta, me mbishkrimin: “Asgjë tjetër përveç energjisë së mirë dhe pasionit sot. Unë s’kërkoj falje që po e ngre zërin për atë që e besoj”.

Ndërsa, policia e atij rajoni tha se protestat kishin qenë paqësore dhe se kishin përfunduar pa asnjë incident.

“Rreth 4000 persona morën pjesë në një protestë paqësore në qendrën e Birminghamit sot. Protestuesit ishin të zhurmshëm dhe me pasion dhe e bëmë të qartë synimin e tyre. Nuk pati asnjë të arrestuar dhe asnjë incident”, thuhet në njoftimin e policisë. /Gazeta Express/

https://twitter.com/OfficialTM_3/status/1268652550049447941?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1268652550049447941&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fmbrojtesi-i-premierliges-i-bashkohet-protestes-ne-angli-per-george-floyd%2F


Të ngjashme