Mbrojtja vlerësohet shtyllë e kuqezinjve

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 15:59 | Nga

Portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Mërgim Mavraj ishin futbollistët e ekipit kombëtar të cilët sot dolën përpara mediave para miqësores Shqipëri-Norvegji.

Fillimisht Berisha sqaroi edhe problemin e një shqetësimi të tij fizik në kofshë gjatë këtij grumbullimi, duke theksuar edhe riaftësimin e tij të përditshëm për të qenë në dispozicion të skuadrës. Sa i përket ekipit dhe grupit, Berisha citoi: “Jemi një skuadër në zhvillim, ku dhe ardhjet e reja do na ndihmojnë. Edhe trajneri është shumë i motivuar dhe herë pas here këtë na e transmeton edhe ne. Është herët të flasim për sfidat zyrtare si Skocia, apo Izraeli siç edhe më pyesni, por mund të them që kemi treguar se ne si grup dhe me rritjen e lojës mund të bëjmë jo pak.

“Edhe të rinjtë e ardhur po ambientohen dhe vetëbesimi tek ta do të rritet edhe më shumë. Në skuadër tashmë ka një kombinim shumë të mirë mes lojtarëve me përvojë dhe elementit të ri, dhe një gje e tillë do të shërbejë shumë. Nëse luajmë mirë, dhe punojmë shumë, rivalët në grup janë skuadra që mund të përballemi dhe mund ti kalojmë. Në lidhje me faktin se kush luan në portë, unë apo Strakosha, mund t’ju them që ky fakt nuk përbën asnjë problem. Kushdo që do të luajë, porta e ekipit kombëtar është e garantuar”, theksoi Berisha.

Ndërkaq, mbrojtësi Mërgim Mavraj shtoi që porta dhe mbrojtja gjithmonë kanë qenë në avancë dhe shtylla kryesore e kësaj skuadre përfaqësuese.

“Mbrojtja, përfshirë edhe portën kanë qenë gjithmonë sektorë shumë të rëndësishëm dhe të kompletuar në këtë kombëtare. Mendoj se skuadrës i duhen 11 liderë në fushë dhe jo një, ku gjithsecili merr përgjegjësitë e tij. Por ajo që mund t’ju them është se shoh një skuadër me klimë dhe me shumë dëshirë për tu rritur, dhe për këtë po punojmë shumë”, ka thënë Mavraj.

“Por, kjo skuadër nuk është përfunduar ende, nisur edhe nga fakti i lojtarëve që përmendet që janë të dëmtuar, dhe që nuk janë tani. Jemi në fillim të zhvillimit tonë. Nisur edhe nga përvoja që tashmë mbartim, tanimë luajmë më me shumë guxim dhe ku mënyra e lojës ka ndryshuar nga më parë.Të rinjtë si prurje të reja kanë shansin e tyre të madh që u jepet, por edhe ne gjatë gjithë kohës duhet ti ndihmojmë në mënyrë që ata të rrisin vetëbesimin e tyre”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme