Mbyllet pa fitues derbi mes Gjilanit e Ballkanit

Prishtinë | 27 Sht 2020 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Ndeshja derbi e Superligës së Kosovës në futboll, mes Gjilanit dhe Ballkanit, e zhvilluar sot, ka përfunduar pa fitues.

Ndeshja e zhvilluar në Gjilan përfundoi 0:0.

Pas ndeshjes trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka thënë se është i kënaqur me barazimin.

“Ishte një ndeshje shumë e fortë për dy skuadrat. Nuk arritëm t’i shfrytëzojmë mundësitë tona që i patëm. Në pjesën e dytë shtuam presionin në fushën e Ballkanit, por nuk arritëm të shënojmë”, deklaroi Mezani për Art Sport. “Trepikëshi do të ishte i madh për vazhdimësinë, por skuadra ka nevojë të përmirësohet dhe të komponohet me futbollistët që kanë ardhur”.

E trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka vlerësuar skuadrën e tij si më të fortën në Superligë në aspektin fizik.

“Ishte një paraqitje e mirë e skuadrës. Jam shumë i kënaqur me luftën dhe angazhimin. Kishim përballë një kundërshtar të fortë. Kishim raste, ashtu siç kishte edhe Gjilani”, theksoi Munishi për Art Sport. “Me pak fat do të fitonim, por barazimi është epilog real. Ishte një lojë e fortë, burrërore, vetëm kështu mund të shkojë përpara futbolli”.

Ballkani pas tri xhirove gjendet në vendin e dytë me shtatë pikë sa i ka edhe Arbëria që kryeson renditjen. Gjilani është i gjashti me 4 pikë.

Të ngjashme