McKenna i ri, zëvendësi i parë i Mourinhos te Unitedi

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 12:05 | Nga

Kur Romelu Lukaku shënoi golin e tij të dytë në ndeshjen ndaj Burnleyt të dielën, trajneri Jose Mourinho u ngrit në ajër dhe festoi me grusht të mbledhur. Në të djathtën e tij, njëjtë veproi Michael Carrick.

Në anën e majtë të trajnerit të Manchester Unitedit, po festonte me po aq entuziazëm një fytyrë më pak e njohur, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. I ri në bankinën e Unitedit këtë stinor është Kieran McKenna, që është ngritur në pozitën e trajnerit të skuadrës së parë pasi Rui Faria në mënyrë të papritur u largua nga “Old Trafford” në maj.

McKenna është vetëm 32-vjeçar, mirëpo trajneri me fytyrë të foshnjës është rritur shumë shpejt në një rol të madh në klub pasi i është bashkuar skuadrës nga Tottenhami në vitin 2016. Ai drejtoi skuadrën U-18 të Manchester Unitedit stinorin e kaluar, duke impresionuar me një futboll me shumë gola dhe u zgjodh nga Mourinho për të zëvendësuar Farian, që ishte ndihmësi i tij që nga viti 2001.

Mourinho mund të jetë më i kujdesshëm sa i përket aktivizimit të futbollistëve të rinj, mirëpo ka një histori për të angazhuar të rinjtë në staf. Brendan Rodgers, Andre Villas-Boas dhe Aitor Karanka janë bërë kryetrajnerë në skuadra të tjera pasi kanë punuar fillimisht në stafin e Mourinhos.

Këtë verë, Mourinho ka mundur të angazhojë një numër të trajnerëve më me emër nëpër Britani apo jashtë saj, por ka vendosur për një irlandezo-verior, që ishte tashmë në skuadër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme