Më 10 shtator firmoset marrëveshja për ligë të përbashkët

Prishtinë | 29 Gus 2020 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Më 10 shtator do të nënshkruhet marrëveshja mes Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) për krijimin e Ligës së përbashkët të basketbollit, e cila do të organizohet për herë të parë në edicionin 2020/21.

Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e FBK-së të premten për KOHËN.

Ideja për krijimin e ligës së përbashkët me ekipet e Kosovës dhe Shqipërisë ka nisur të finalizohet muaj më parë, kurse ka mbetur vetëm nënshkrimi i marrëveshjes për ta përmbyllur procesin e krijimit të saj. Marrëveshja do të firmoset në Tiranë dhe do të jetë e vlefshme për katër vjet. Të dy vendet shqiptare do të përfaqësohen me nga katër ekipe në ligën që do të njihet me emrin “Uniqa Basketball League”. Menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes do të emërohet edhe Bordi i ligës që do të përbëhet nga katër anëtarë, dy nga Kosova e dy nga Shqipëria. Bordi më pas punëson drejtorin, sekretarin, zyrtarin e marketingut dhe atë të financave.

Selia e ligës do të jetë në Prishtinë për dy vjetët e parë, e më pas do të transferohet në Tiranë. Gjatë dy vjetrëve të parë kryetar i ligës së përbashkët do të jetë një anëtar i FSHB-së, që do të zgjidhet nga katër anëtarët e bordit.

“Marrëveshja ndërmjet dy federatave, FSHB dhe FBK, pritet të nënshkruhet në javën e dytë të muajit shtator në Tiranë, nga kryetarët e të dy federatave dhe në prezencën e dy ministreve të Sportit, pra nga Shqipëria dhe Kosova. Pas nënshkrimit të marrëveshjes do të formohet Bordi i ‘Uniqa Basketball League’ me nga dy anëtarë prej secilës federatë, të cilët do ta zgjedhin kryetarin, e që kësaj radhe pritet që ai të jetë nga Shqipëria”, bëri të ditur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

“Bordi i ‘Uniqa Basketball League’ do të emërojë stafin e zyrës ekzekutive, ndërsa zyra do të fillojë funksionimin në muajin shtator dhe do të jetë në Prishtinë në dy vjetët e parë. Do të ketë të punësuar nga Kosova dhe Shqipëria”.

Krahas finalizimit të marrëveshjes, të dyja federatat në muajin shtator do të bëjnë edhe konfirmimin e të gjitha ekipeve pjesëmarrëse në Ligën e Përbashkët. Krahas tetë ekipeve të meshkujve do të konfirmohen edhe ekipet e femrave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme