Me Hadërgjonajn, Kosova ka fituar lojtarin e gjithanshëm

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Pritja e gjatë e Kosovës për Florent Hadërgjonajn po del se ia ka vlejtur.

Hadërgjonaj për pak ndeshje me fanellën e “dardanëve” ka dëshmuar se Kosovës i është nevojitur një lojtar me aftësitë e tij të gjithanshme. Ai po përdoret në pozita të ndryshme nga seleksionuesi Bernard Challandes dhe deri më tash, paraqitjet e tij janë duartrokitur, kudo ka luajtur në fushë.

Hadërgjonaj në fillim të muajit maj pranoi të luajë për Kosovën pas shumë kohësh hezitim. Ai në fakt priste rastin te Zvicra, por nuk e mori atë, shkruan sot Koha Ditore.

Pak javë pas vendimit rreth përfaqësueses, emri i futbollistit të Huddersfieldit, ishte në listën e Challandesit për ndeshjet eliminatore të “Euro 2020”, që Kosova i luajti në muajin qershor.

Të dyja këto ndeshje u luajtën në udhëtim. Hadërgjonaj nuk u aktivizua në të parën, atë ndaj Malit të Zi që përfundoi 1:1, ndërkohë në të radhës pas katër ditësh në Sofje u inkuadrua në pjesën e dytë. Dhe, menjëherë i dha zjarr lojës së Kosovës, duke e ndihmuar të mposhtë Bullgarinë 3:2. Pas kësaj, ishte i rregullt në formacionin “dardan”.

Edhe pse njihet si mbrojtës i krahut të djathtë, Hadërgjonaj në këtë pozitë ka luajtur vetëm në ndeshjen e tij të parë me Kosovën, kur ndaj Bullgarisë u aktivizua në 30 minutat e fundit.

Pas kësaj, ai ka luajtur si mbrojtës i krahut të majtë dhe së fundi, ndaj Malit të Zi në Prishtinë, si sulmues i krahut të djathtë. Pra, për pesë ndeshje u aktivizua në tri pozita të ndryshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme