Meçi dramatik ridefinon kategorinë e rëndë

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Andy Ruiz Jr bëri atë që shumë besonin se do të ishte e pamundur, duke ndalur Anthony Joshuan në raundin e shtatë, të dielën, për të rrëmbyer brezat e peshës së rëndë – WBA, WBO e IBF. Meksikani Ruiz ka shkaktuar një prej befasive më të mëdha në historinë e boksit. Pra, çfarë ndodhi në këtë meç dhe çfarë mësuam nga ky meç?

Ruizi fitoi, por a humbi boksi?

Nuk ishte vetëm Joshua që pësoi humbje. Deontay Wilder ishte gjithashtu një humbës i madh të dielën. Përderisa Wilder mund të përballet me Joshuan në të ardhmen, ky meç më kurrë nuk do të ketë rëndësinë e njëjtë si vitin e kaluar, kur të dy ishin kampionë dhe të pamposhtur. Përpara vikendit fatal, shumica e adhuruesve të boksit në pyetjen se cilin meç do të dëshironin ta shihnin në vitin 2019, përgjigjeshin për atë Joshua vs Wilder. Dhe, tash pas gjithë kësaj, si tifozët ashtu edhe boksierët kanë mbetur pa asgjë, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo ngjarje në njëfarë mënyre kujton një shqetësim tjetër monumental të peshës së rëndë – kur James Douglas mundi Mike Tysonin në shkurt të vitit 1990. I ulur pranë ringut atë mbrëmje në Tokio ishte Evander Holyfield, i cili priste që Mike t’i japë fund Douglasit, në mënyrë që të përballeshin në meçin e boksierëve të pamposhtur të peshës së rëndë. Kështu që, përballja e Wilderit me Joshuan si kampionë të pamposhtur të peshës së rëndë, do të ishte një nga ngjarjet e rralla në të cilat boksi do të ishte në qendër të vëmendjes në nivel ndërkombëtar. Ndoshta Wilder e ka gjetur një ndjenjë kënaqësie në humbjen e Joshuas, duke marrë parasysh negociatat e pasuksesshme që kanë pasur mes vete. Por, një pjesë e tij është e frustruar për shkak se Wilder ëndërronte të jetë i pari që do ta rrëzojë Joshuan në Londër.

Edhe njëherë, biznesi i boksit i doli në rrugë sportit.

A është problem mjekra e Joshuas?

Në këtë pikë, duket si një pyetje retorike. Ajo që dukej të ishte një natë e lehtë për Joshuan pasi rrëzoi Ruizin në raundin e tretë, doli të jetë një makth për debutimin e boksierit britanik në SHBA. Përderisa ishte afër të mbyllë shfaqjen me Ruizin, Joshua u kap nga një seri kundërsulmesh të freskëta nga meksikani, i cili dëshmoi se di të godasë. Joshua u habit nga një goditje e majtë në trup gjatë një shkëmbimi të grushteve në të njëjtën raund dhe u rrëzua. Pas kësaj, Joshua u rrëzua edhe njëherë. Ndërsa mbijetoi në këtë raund dhe kishte disa momente pas kësaj, Joshua dukej i paqëndrueshëm në këmbët e tij, por edhe i pasigurt në qëndrueshmërinë e tij. Kurrë nuk kishte një njeri aq të fortë përballë që dukej aq i brishtë. Ishte një thirrje e lehtë për arbitrin Michael Griffin. Derisa Joshua ishte në këmbët e tij duke qëndruar në një kënd neutral, pasi u rrëzua edhe dy herë nga Ruiz në raundin e shtatë, ai simbolikisht kishte ngritur flamurin e bardhë. Ndonëse, rezultati është befasues, fakti është se Joshua u rrokullis disa herë, dhe ai u rrëzua katër herë. Këtë e kemi parë më parë. Ai u habit në fitoret ndaj Dillian Whyte dhe së fundi kundër Alexander Povetkin. Dy vjet më parë, Joshua u rrëzua nga Wladimir Klitschko para se ta ndalte boksierin ukrainas në një luftë të madhe. Për të gjitha talentet që ka, është e qartë se mjekra e Joshuas është një mangësi. Ndoshta kjo ishte vetëm një çështje kohe kur ajo do të ishte plotësisht e ekspozuar.

Kush është aktualisht më i miri në peshën e rëndë?

Pasi Ruiz ka tre breza rreth belit të tij, e bën kjo boksierin më të mirë në botë? Nuk është Ruiz, jo. Por me siguri do të ketë mundësinë për ta dëshmuar veten në muajt e ardhshëm. Mbajtësi i brezit WBC, Deontay Wilder, dhe ish-kampioni Tyson Fury – të cilët luftuan në një barazim të diskutueshëm në dhjetor në Staples Center të Los Angeles – konsiderohen si dy më të mirët pas meçit të Joshuas me Ruizin. Të premten është njoftuar se Wilder dhe Fury kishin rënë dakord për një rimeç në pjesën e parë të vitit 2020. Fituesi i këtij dueli do të konsiderohet luftëtari më i mirë në divizion. Por duke u bazuar në ngjarjet e fundit, është mirë të mos supozohet ende asgjë. Ndërsa Wilder do të përballet me Luis Ortizin në shtator, Fury ende ka për të luftuar me Tom Schwarzin më 15 qershor dhe mund të ketë një tjetër luftë në vjeshtë. Kështu që, mos të mbajmë shpresat te rimeçi mes Wilderit dhe Furyt.

Rimeçi i menjëhershëm, a është ide e mirë për Joshuan?

Realiteti është se Joshua nuk ka qenë kurrë i njëjti boksier sulmues e agresiv pas Klitschkos. Tani, pas humbjes në New York, mbetet të shihet nëse Joshua do të jetë gjithmonë boksieri i njëjtë. Humbjet e kësaj natyre mund të ndikojnë te një boksier më shumë psikologjikisht se fizikisht. Kjo duket si një humbje shpirtërore për Joshuan dhe shkëlqimi që e shoqëronte atë në këtë ngjarje mund të mos shihet më kurrë. Joshua më nuk është i pamposhtur dhe tani është plotësisht i grisur në copa. Nëse ata ritakohen për gjashtë muaj, Ruiz do të jetë i njëjtë derisa Joshua do t’i ketë dyshimet e njëjta që i pati pas largimit nga meçi të dielën. Në Mbretërinë e Bashkuar, Joshua është ende një boksier i madh, por një humbje tjetër nga Ruizi ka gjasa të zvogëlojë statusin e tij si Frank Bruno.

A duhet Ruiz të marrë merita për suksesin?

Po, absolutisht. Ndërsa ka një tendencë të natyrshme në këto rrethana për të folur gjithmonë për të metat e të preferuarit që humbet një luftë në këtë mënyrë, merita duhet t’u jepet fituesve për atë që kanë arritur. Ruiz ishte një zëvendësim i vonshëm për Jarrell Miller dhe një luftëtar më i kalitur me një bilanc më të mirë. Edhe pse Ruiz kurrë nuk ka pasur përballë kundërshtar më të madh se Joshua, humbja e tij e vetme në 33 meçet e mëparshme erdhi në dhjetor të vitit 2016 për titullin WBO kundër Joseph Parkerit.

Talenti nuk ka qenë kurrë një çështje për 29-vjeçarin Ruiz, i cili me gjithë fizikun e tij më pak të zhvilluar, është një boksier që posedon shpejtësi. Ai kurrë nuk do të ketë muskuj barku ose muskulaturë të vijëzuar sikurse kolegët e tij, por ai ka aftësi natyrore të luftimit. Ai gjithashtu tregoi mentalitetin e luftëtarit, duke u ngritur pas rrëzimit në raundin e tretë për të bërë një kthesë dramatike. Mbi të gjitha, Ruiz lufton më mirë sesa që duket.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme