Medalistja e artë olimpike pensionohet në moshën 19-vjeçare

Prishtinë | 29 Gus 2017 | 11:55 | Nga

Patinazhistja ruse Yulia Lipnitskaya ka vendosur të tërhiqet nga patinazhi artistik në moshën 19-vjeçare, kanë njoftuar mediumet ruse të hënën.

Lipnitskaya u bë fytyrë e Lojërave Olimpike “Sochi 2014”, kur si 15-vjeçare ndihmoi Rusinë të fitonte medaljen e artë në garën ekipore, transmeton “Koha Ditore”.

Ajo u bë medalistja më e re e artë nga Rusia në Lojërat Olimpike Dimërore, dhe medalistja më e re e artë në patinazhin artistik për 78 vjet.

Lipnitskaya ka informuar Federatën Ruse të Patinazhit Artistik për vendimin e saj për t’u pensionuar qysh në prill, pasi i është nënshtruar një trajtimi për anoreksi, ka bërë të ditur nëna e saj për agjencinë e lajmeve “TASS”.

“Yulia ka informuar menaxhmentin e federatës për vendimin e saj për t’i dhënë fund karrierës qysh në prill, pasi u kthye nga Evropa, ku i është nënshtruar për tre muaj trajtimit për anoreksi. Ne i jemi falënderues kompanisë Telesport, që ka ndihmuar Yulian në atë periudhë të vështirë. Unë dua të cek se ajo aktualisht paguhet vetëm nga bursa olimpike dhe nuk merr pagë nga federata ndonëse është në listë në përbërjen rezervë të përfaqësueses”, ka thënë nëna e Yulias.

Ndërkohë presidenti i federatës ruse Alexander Gorshkov ka thënë se nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar që thotë se Lipnitskaya i ka dhënë fund karrierës së saj.

Lajmi për pensionimin e Lipnitskayas është bërë i ditur në të njëjtën ditë pasi trajneri i kampiones në fuqi olimpike Adelina Sotnikova ka thënë se Sotnikova do të mungojë deri në fund të stinorit dhe nuk do të jetë në gjendje të mbrojë titullin olimpik në “Pyeongchang 2018”, për shkak të një lëndimi.

Trajneri i Sotnikovas, Yevgeny Plushenko, ka thënë se mungesa e saj në Lojërat Olimpike Dimërore nuk duhet të shihet si pensionim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme