Mediat e rajonit e lartësojnë Kosovën: “Dardanët” po bëhen fuqi e futbollit

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Mediat e rajonit e kanë lartësuar ekipin kombëtar të Kosovës.

Më saktësisht, mediat kroate dhe ato boshnjake e kanë përshëndetur paraqitjen e mbrëmshme të “Dardanëve”, të cilët e mposhtën Burkina Fason me rezultat të thellë, 5:0.

Verdhekaltrit e nisën vitin 2022 me një paraqitje spektakolare, me ç’rast i kënaqën tifozët dhe trajnerin e ri, Alain Giresse.

“Kosova po bëhet fuqi e futbollit: Sonte e poshtëruan gjysmëfinalistin e Kupës së Kombeve të Afrikës”, është titulli i portalit boshnjak “sportsport.ba”, përcjell “Gazeta Express”.

“Ata po luajnë si sahat. Reprezentacioni i Kosovës edhe një herë dëshmoi se është një ekip që duhet marrë seriozisht në qarqet evropiane dhe ato botërore”, vazhdon shkrimi i mediumit boshnjak.

E paraqitjen e Kosovës e ka lavdëruar edhe mediumi i njohur kroat, “index.hr”.

“Kosova e deklasoi reprezentacionin që renditet 50 vende më lartë në ranglistën e FIFA-s”, shkruan në titullin e mediumit kroat, i cili nuk ndalet me kaq.

“Fakti që kombëtarja afrikane pozicionohet dukshëm më mirë në renditjen e FIFA-s i jep peshë shtesë triumfit të kosovarëve”, vazhdon shkrimi i “index.hr”.

E jehonë fitores së Kosovës i kanë dhënë edhe mediat e huaja, sidomos mediat e shteteve ku luajnë futbollistët e Kosovës. 

Të ngjashme