Mehmedi përkrah vazhdimin e edicionit: Më mirë të luajmë kështu se mos të luajmë fare

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Të shtunën (nesër) nga ora 15:30, Admir Mehmedi pritet të dal në fushën e blertë për të nisur një ndeshje futbolli, pas një kohe të gjatë. Skuadra e tij, Wolfsburg, luan në udhëtim ndaj Augsburgut, në kuadër të Bundesligës gjermane.

Bundesliga bëhet liga e parë e madhe e futbollit që rifillon pas përhapjes së koronavirusit. Ndeshjet do të luhen pa shikues.

“Është më mirë që ndeshjet të luhen kështu se mos të luhen fare. Politikanët dhe Liga e Futbollit të Gjermanisë kanë siguruar që gjërat mund të vazhdojnë. Ne jemi para vendeve tjera”, ka thënë Mehmedi në një intervistë për “sportbuzzer.de”.

Reprezentuesi 29-vjeçar i Zvicrës do të kuptonte nëse një bashkëlojtar i tij do të ishte i brengosur dhe nuk do të dëshironte të luante. Por ai pranon situatën ashtu si është.

Kur është pyetur nëse brengoset se mund të infektohet, Mehmedi ka thënë: “Kam respekt, natyrisht, pasi diçka mund të ndodhë çdo herë. Por unë nuk jam i frikësuar. Në mendimin tim kjo është fjalë e gabuar”.

Mehmedi ndien se Bundesliga dhe klubet kanë bërë çdo përpjekje për të siguruar që liga të vazhdojë. Ai ka besim të përgjegjësit, ndërsa i pëlqen koncepti që po ndiqet.

“Tani duhet të presim dhe të shohim se çka do të ndodhë kur ndeshjet të rifillojnë”, thotë lojtari ofanziv.

Të luhet pa shikues nuk do të jetë njëjtë për Mehmedin, ashtu si për lojtarët tjerë, raporton Koha.net.

“Futbolli jeton nga emocionet. Ne gjithnjë e themi këtë dhe është shumë e vërtetë. Sporti ynë jeton nga tifozët. Nuk e di si do të jetë. Nuk do të jetë normale”.

Të ngjashme